Presidenti Bajram Begaj mbajti një fjalim në ceremoninë që u zhvillua në Vlorë këtë të hënë me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ai uroi të gjithë shqiptarët për Ditën e Pavarësisë dhe tha se ajo mbetet vepra më e madhe e kombit shqiptar. Begaj u shpreh se duhet ta duam atdheun me vepra dhe shërbim ashtu siç do të donin të parët.
“Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt që me përgjegjësi historike në ditët e rrezikut të madh, jetësuan vullnetin shekullor të popullit me shumë guxim dhe largpamësi. Ishte trimëria e djemnisë kosovare dhe asaj mbarëshqiptare që me heroizmin dhe qëndresën e kultivuar ndër shekuj i dolën për zot vatanit dhe i demonstruan mbarë botës shenjtërinë e lirisë, gjuhës, atdheut dhe identitetin donë kombëtar”, u shpreh Begaj.
Presidenti Begaj dhe mesazhin e tij për përgjegjësinë e të gjithëve në këtë ditë të shënuar, për më së pari të klasës politike dhe institucioneve. Sipas tij, duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve. Po ashtu, Begaj theksoi se përgjegjësitë e Shqipërisë janë të mëdha. Ai u shpreh se Shqipëria duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim sa herë të jetë e nevojshme.
“Askund më mirë se në Vlorën e flamurit, e në këtë ditë, nuk mund të marrë vlerë mesazhi për përgjegjësinë e të gjithëve, dhe më së pari të klasës politike dhe institucioneve. Ne duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor, për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve dhe respektimin e çdo individi dhe të drejtave, që burojnë nga kushtetuta. Duhet të jemi bashkë në luftën kundër korrupsionit, pabarazisë dhe varfërisë; bashkë për çështje të sigurisë kombëtare dhe reformës në drejtësi; bashkë për një shoqëri të lirë, të angazhuar dhe të arsimuar; për një Shqipëri të mundësive të barabarta, të medias së lirë, të institucioneve që u shërbejnë qytetarëve, e të rinjve që gjejnë hapësirë dhe shpresë për ëndrrat dhe idealet e tyre që të ardhmen tyre ta ndërtojnë në vendlindjen e tyre Shqipëri.
Përgjegjësitë e Shqipërisë janë edhe më të mëdha se kaq. Ne kemi detyrim për fuqizim të faktorit shqiptar në rajon. Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare. Me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e integrimit europian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë. Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik”, u shpreh Begaj.
Ai bëri thirrje që brezat të mos harrojnë, të kujtojnë me mirënjohje paraardhësit e tyre dhe të mbushen me krenari për atdheun, flamurin dhe identitetin kombëtar. Pas 110 vjet shtet i pavarur, Begaj u shpreh se tashmë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Ballkan dhe Europë.
“I kujtojmë për të reflektuar për atë që duhet të bëjmë si individë dhe shoqëri, për përparimin dhe begatimin e mëtejshëm të atdheut dhe kombit tonë sepse ky flamur dhe kjo tokë është amaneti i të parëve, është përkatësia dhe përgjegjësia e të gjithëve ne”, u shpreh ai.
“Kombi shqiptar ka forcuar gjithnjë e më shumë pozitat edhe rolin e tij të merituar duke u bërë një faktor dhe aktor i besueshëm për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajonin tonë. Shqipëria është anëtare e denjë e NATO-s, aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në botë, por edhe aleancës më të madhe të vlerave, demokracisë dhe prosperitetit. Shqipëria është partnere e besuar dhe aleate e SHBA, BE, Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve të tjera mike në botë. Ndërsa para 110 viteve diskutohej copëzimi i trojeve shqiptare sot Shqipëria si anëtare e përkohshme e KS në OKB luan një rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqe, sigurisë dhe për promovimin e demokracisë. Ajo është e fokusuar në objektivin strategjik të integrimit në BE si e ardhmja më e mirë dhe rruga më e sigurtë për Shqipërinë, faktorin shqiptar në rajon dhe gjithë rajonin. Në fillim të Dhjetorit për herë të parë jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë rajonin mblidhet samiti i BE-Ballkani Perëndimor. Kjo shënjon një ngjarje të madhe dhe është një përgjegjësi për rrugëtimin e Shqipërisë dhe Europës, është një mesazh mbështetje dhe inkurajimi për të gjithë shqiptarët duke nxitur njëherazi një përgjegjësi të shtuar për institucionet dhe klasën politike për vijimin dhe thellimin e reformave dhe avancimin e axhendës europiane. Pavarësisht arritjeve kemi rrugë të gjatë përpara. Ajo q ë duhet të bëjmë më së parë është ta duam atdheun me vepra, me shërbim dhe idealizëm ashtu si patriotët që nderojmë sot”, tha presidenti.