Rekord i ri aplikimesh për regjistrim të markave në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale.
Sipas burimeve nga DPPI janë kryer 1111 aplikimesh , për regjistrim markash kombëtare duke shënuar rekord ndër vite të subjekteve shqiptare dhe të huaja që nëpërmjet aplikimit direkt në DPPI kërkojnë të regjistrojnë markat e tyre në territorin shqiptar.
Këto shifra janë tregues i rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të biznesit vendas për përfitimet nga mbrojtja e markave tregtare, si dhe të interesit të kompanive të huaja për tregun shqiptar.
Mbrojtja e markave në territorin shqiptar ka efekt të drejtpërdrejtë në sigurimin e të drejtave mbi Pronësinë Industriale dhe krijimin e një tregu të bazuar në konkurrencën e ndershme.
Rritja e aplikimeve, sipas DPPI-së, është edhe rezultat i nivelit të lartë të promovimit që DPPI ka ndërmarrë nëpërmjet fushatave sensibilizuese në rang kombëtar.
Stafi i DPPI-së ka qenë i pranishëm tek ambientet e biznesit, duke ofruar asistencë profesionale dhe të vazhdueshme, për regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale.
Gjithashtu, ky rekord aplikimesh është përmbushje e objektivave të cilat burojnë nga “Strategjia Kombëtare për Pronësinë Intelektuale 2016-2020”.
Rritja e aplikimeve pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim.