Konflikti Super League-UEFA është larg nga të qenit i mbyllur. Pas urdhrit të Gjykatës së Madridit, e cila në fakt i kthen UEFA-s mundësinë e ndëshkimit të klubeve që promovojnë projektin e Super League, çështja rihapet. Megjithatë, jo menjëherë.
Nga Nioni bënë të ditur se asgjë nuk do të ndodhë në vitin e ardhshëm. Tre rebelët, Juventus, Real Madrid dhe Barcelona, të vetmit që nuk tërhiqen nga projekti, do të jenë të pranishëm në edicionin e ardhshëm të kupës më të rëndësishme kontinentale.
Gjithçka lidhet me edicionin 2023-24, kur Champions League do të modifikohet, duke shkuar nga 32 në 36 ekipe. Me pak fjalë, një modernizim. Për t’u dukur pak më shumë si modeli i Super League aq shumë të urryer, pikërisht për të hequr qafe çdo ambicie të klubeve të mëdha për të krijuar turne alternativ.
Në të shkuarën, UEFA kishte vendosur për 100 milionë euro gjobë dhe përjashtim nga kupat për një apo dy vjet për klubet e përfshira. Sanksionet u ndaluan nga Gjykata e Madridit, e cila me aktin e parë kishte pezulluar procedurat, duke hequr masat parandaluese të FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe të kampionateve dhe federatave kombëtare. Gjyqtarja e re e Madridit, Sofia Gil, i ka kthyer pushtetin UEFA-s për të sanksionuar rebelët në institucionet e futbollit.
Hapi i parë do të jetë gjykimi disiplinor që parashikon ndalimin e 5% të shpërblimeve të UEFA-s për të gjitha skuadrat e përfshira në kryengritje. Ndaj nga masat do të preken edhe Arsenal, Chelsea, Tottenham, Liverpool, Manchester City e United, Atletico Madrid, Milan dhe Inter, të cilët e kishin braktisur projektin menjëherë përballë pakënaqësisë së parë.
Për tre promotorët kryesorë (Juve, Barça dhe Real), të cilët e kanë deklaruar projektin e ligës alternative vetëm në stand-by, duke ngjallur zemërimin e Ceferin, do të ketë edhe një gjobë shtesë prej 15 milionë euro. Mesazhi është i qartë: kush nuk paguan është jashtë sistemit. Nuk ka Champions dhe gara të tjera të UEFA-s, duke filluar nga sezoni 2023-24.
Klubet themeluese të Super League deri më tani ishin mbrojtur me vendimin e parë të Gjykatës së Madridit, e cila kishte urdhëruar anulimin e masave parandaluese në pritje të një vendimi përfundimtar. Tashmë skenari ka ndryshuar dhe balanca është zhvendosur në favor të bashkimit të federatave evropiane të futbollit. Megjithatë pritet edhe vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë që do të vulosë gjithçka.