27 raste të reja janë konfirmuar në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit me koronavirus. Shqetësuese janë shifrat që vijnë nga qyteti i Shkodrës.
12 raste të reja janë identifikuar vetëm në këtë qytet, pothuajse sa gjysma e rasteve totale. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare.
Mes të prekurve është edhe një fëmijë 13-vjeçar.
Pse kaq shumë të infektuar?
Sipas zv/ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ky numër vjen si pasojë e mos respektimit të distancimit social.
“Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike”, tha ajo.
Rakacolli tha se në terren po vijon hetimi epidemiologjik edhe me një ekip të ISHP-së, ndërsa i bëri sërish thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e marra.
“Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19”, tha Rakacolli.