Një gjykatë në Podgoricë dënoi dje 14 persona nga një vit e gjysmë deri në 15 vjet burg, përfshirë dy nacionalistë rusë, të njohur si përgjegjës për terrorizëm dhe përpjekjen për grushtin e shtetit, të zbatuar më 16 tetor 2016, në ditën e zgjedhjeve politike në Malin e Zi.
Qëllimi përfundimtar, sipas prokurorisë, ishte parandalimi i anëtarësimit në NATO të Malit të Zi, që ndodhi një vit më pas, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Rusisë.
Suzana Mugosha, kryetarja e gjykatës, tha se të pandehurit kishin krijuar një organizatë kriminale për marrjen e pushtetit nëpërmjet akteve terroriste dhe veprimeve të dhunshme, përfshirë pushtimin e parlamentit dhe vrasjen e kryeministrit të kohës, Milo Gjukanoviç, presidenti aktual i Malit të Zi.
Për Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, dy rusët të konsideruar si të dërguar të shërbimeve të sigurisë nga ana e Moskës dhe të cilët u gjykuan në mungesë, u vendosën dënime më të rënda, respektivisht 15 dhe 12 vjet burg.
Të pandehurit e tjerë ishin nëntë shtetas serbë dhe tre shtetas malazezë, eksponentë kryesorë të Frontit Demokratik (DF), forca më e madhe opozitare pro serbe dhe pro ruse kundër integrimit të Malit të Zi në NATO.
Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, udhëheqësi i DF, u dënuan me pesë vjet.
Të pandehurit së bashku me avokatët mbrojtës kanë folur gjithmonë për një proces politik kundër tyre dhe kanë kërkuar lirimin e të gjithë të dënuarve, të cilët kanë të drejtën e apelimit.
Podgorica zyrtare ka akuzuar nacionalistët serbë dhe rusë për komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse në Mal të Zi.
Dy rusët e dënuar në mungesë, sipas prokurorëve në Mal të Zi, janë oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit. Moska hedhur poshtë mundësinë që “mekanizmat shtetërorë rusë”, të kenë qenë të përfshirë në përpjekje për grusht shteti.
Mali i Zi, vendi i vogël në breg të Detit Adriatik, u pavarësua në vitin 2006 dhe 11 vjet më pas u bë anëtari i 29-të i NATO-s, duke nxitur zemërimin e Moskës e cila kundërshton përfshirjen e Ballkanit në aleancën ushtarake perëndimore.