14 raste të reja janë konfirmuar pozitive me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vendin tonë ka shkuar në 726.
Nga rastet e reja 9 janë zbuluar në Krujë, 4 në Tiranë, mes të cilave 1 në burg dhe 1 rast i ri është në Shkodër. Vazhdon të rritet edhe numri i të shëruarve. Listës i janë shtuar 7 pacientë të tjerë, të gjithë nga Shkodra.
Në këtë mënyrë numri total i personave të shëruar shkon në 410. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se aktualisht raste aktive me Covid-19 janë 288 raste.
“Siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme”, tha Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
Në Spitalin Infektiv ndodhen të shtruar 30 pacientë, nga të cilët 4 në terapi intensive. Ndërsa në Spitalin “Shefqet Ndroqi” janë 6 pacientë të shtruar. 2 Prej tyre janë në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavijon.
Fatkeqësisht mëngjesin e sotëm në këtë spital ka ndërruar jetë një 60-vjeçar, duke u bërë kështu viktima e 28 nga sëmundja. Ai vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.