111 metra, 30 kate mbi tokë dhe 5 nën tokë, këto janë të dhënat e kullës që do ndërtohet ngjitur me pjesën e pasme të “Hotel Tiranës”, në qendër të kryeqytetit.
Këshilli kombëtar i territorit miratoi në mbledhjen e fundit me dyer të mbyllura lejen e zhvillimit për ndërtimin e kësaj kulle.
Kërkesa është e kompanisë “Geci”, e cila ka në pronësi dhe “Hotel Tiranën”. Një leje zhvillimore për këtë kullë është dhënë në prill të 2017, ndryshimi kësaj radhe është se përveç kompanisë “Geci” shtohet dhe kompania “Aner SH.P.K”, në pronësi të vetë shoqërisë “Geci”.
Ndërtimi i ri nuk do të jetë vetëm hotel, por godine multifuksionale.
Në dokumentet e aplikimit thuhet se objekti, është zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të “Hotel Tirana International” me shtesë anësore dhe kullë me destinacion hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh.
Në të njëjtën mbledhje Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë lejen për ndërtimin e 8 hidrocentraleve të vegjël, 5 prej tyre do të ngrihen në përrenjtë e Rekës dhe Shishtavecit në bashkinë e Kukësit.
Kurse në Zharrës të Fierit do të ndërtohet një impiant për trajtimin e mbetjeve të naftës dhe të nënprodukteve të saj.