Ka shkuar në 678 numri i të infektuarve në vendin tonë, nga 6768 teste të kryera në total.
Në një deklaratë për mediat, Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik, bën me dije se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja të prekur me koronavirus.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 259 persona të dyshuar me COVID-19. Nga totali i rasteve të dyshuara janë testuar 36 personel shëndetësor, të cilët kanë rezultuar negativë për Sars-Cov2. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 15 raste pozitive me COVID19. Nga totali i rasteve të reja 9 raste janë në Tiranë, të gjitha kontakte të rasteve të mëparshme, 2 raste janë në Mirditë, 1 në Shkodër, 1 në Kukës, 1 në Has dhe 1 në Kurbin”.
Covid-19 deri më tani u ka marrë jetën 27 personave, ndërsa janë shëruar 394.
“Aktualisht në vendin tonë 257 ose 41.9% e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme”.
Në spitalin Infektiv, Covid 1, aktualisht ndodhen të shtruar 30 pacientë, 4 në terapi intensive, ndërsa në spitalin Covid 2, “Shefqet Ndroqi”, ndodhen të shtruar 8 pacientë, 4 në terapi intensive në gjendje të rëndë.
Harta e të prekurve është zgjeruar në Tiranë Mirditë, Shkodër, Has dhe Kurbin.
“Pavarësisht luhatjeve të të dhënave ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme”.
Në kushtet e lehtësimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.
Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.