Nëse vesh një fanellë të Barcelonës në Emiratet e Bashkuara Arabe me logon e “Qatar Airways” mund të përfundosh në burg për 15 vjet.
Superfuqitë arabe, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Bahreini, kanë ndërprerë marrëdhëniet me Katarin me pretendimin se ky i fundit mbështet ekstremizmin.
Katari i konsideron të pabaza akuzat se mbështet grupet militante të armatosura si dhe rivalin e tyre rajonal Iranin. Ndërkohë Arabia Saudite dhe disa nga shtetet e tjera arabe kanë pezulluar fluturimet me Katarin. “Qatar Airways” ka sponsorizuar fanelën e Barcelona-s që nga 2013-a, ndërsa në 2011 ishte “Qatar Foundation” në fanelën blaugrana.
Vitin e kaluar Barcelona njoftoi një marrëveshje të re katërvjeçare me kompaninë japoneze “Rakuten”. Marrëveshja me opsion zgjatjeje për një vit tjetër, do të shohë logon e Rakuten të shfaqur në fanelën e Barças duke filluar nga sezoni tjetër.
Por, sipas gazetës argjentinase “Ole Internacional”, nëse vesh fanellën e vjetër të katalanasve me logon “Qatar” në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të gjobiteni me 110,000 paund ose do të dënoheni me 15 vjet burg.
Ky do të ishte një dënim jashtëzakonisht i ashpër për shumë njerëz të dashuruar me lojën e Barcelonës në Lindjen e Mesme.