“Gëzuar Pavarësinë Kosovë”, është ky urimi i bërë nga kryeministri Edi Rama në këtë 17 shkurt, 16-vjetor të Pavarësisë së Kosovës.
Bashkangjitur me urimin e tij, kreu i qeverisë ka postuar një foto ku shihet ushtria e Kosovës, e ndërsa në sfond është ish-presidenti, i ndjeri Ibrahim Rugova.
Urime nga pasur edhe nga opozita. Teksa sjell kujtime nga lidhja e tij me Prishtinën zyrtare, ish-presidenti, Ilir Meta e quan Kosovën, kampione në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale.
“Kënaqësi të merrja pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës të Pavarësisë. 17 Shkurti është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë, por edhe për rajonin tonë, që ka përfituar më shumë stabilitet dhe siguri.
Shteti më i ri në Ballkan në një kohë rekord është kthyer në një shembull për fqinjët për demokracinë funksionale dhe zgjedhjet e lira, për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit, si edhe për politikat përfshirëse sociale.
I lumtur të isha pjesë e përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të çështjes të Kosovës në fillim të viteve ’90 në bashkëpunim me Presidentin Rugova dhe Qeverinë e tij të Bujar Bukoshit. Krenar të isha një mbështetës i palëkundur i UÇK, që në orët e para të saj. Të paharruara do të jenë emocionet e forta që përjetova si rrallëkush tjetër nga eksodi biblik, drama e madhe humanitare në Kukës dhe mbi të gjitha nga mikpritja e rrallë e kukësianëve që kurrë nuk mund të përshkruhet me fjalë.
Ndihem krenar që në çdo detyrë shtetërore që kam patur, mbrojtjen e interesit të Kosovës, e kam patur të parën. I lumtur t’i kundërvihesha projekteve tinzare për ndarjen dhe zhbërjen e Kosovës me duart e vetë shqipfolësve.
I lumtur të isha pjesë aktive e përpjekjeve të Qeverisë shqiptare për fitoren në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësise të Pavarësisë të Kosovës në vitin 2010. Kënaqësi e veçantë të shohim Kosovën të jetë sot kampione, jo vetëm në xhudo, por edhe në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale”, shkruan Meta.
Nga Partia Demokratike, është Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i cili pati një urim për të gjithë shqiptarët pavarësi e Kosovës. Ai shkruan se Kosova është krenari e çdo shqiptari dhe burim shprese për triumfin e të drejtës mbi të keqen.
“16 vjet shtet. Një rrugëtim i ngritur mbi sakrifica. Kosova është krenari e çdo shqiptari dhe burim shprese për triumfin e të drejtës mbi të keqen. Krenar për çdo arritje dhe inkurajues për sfidat që e presin, për të cilat kam bindjen se do të realizohen falë mbështetjes së partnerëve strategjik. Gëzuar për çdo shqiptar”, shkruan Bardhi.