Aktualitet 18-vjeçari shqiptar humb jetën në një aksident tragjik

18-vjeçari shqiptar humb jetën në një aksident tragjik

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Pesaro të Italisë. Një i ri shqiptar ka humbur jetën pas një aksidenti me motor. Viktima është Rusjon Kercuku, 18 vjeç.

Ai ka lindur në Itali ndërkohë që punonte si kamarier në një hotel në Cattolica. Sipas mediave, i riu po kthehej nga puna në momentin e aksidentit. 18-vjeçari do të shkonte të takonte miqtë e tij pas një dite të lodhshme pune.

Por rrugës ai humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një shtyllë. Plagët që pësoi në kokë dhe gjoks ishin shumë të rënda dhe i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Të paktën ky është dyshimi paraprak i policisë.

Ata po hetojnë edhe mundësinë nëse Kercuku është përplasur nga një mjet tjetër ose ka qenë ndonjë kafshë që i ka penguar rrugën. Gjithashtu, autoritetet dyshojnë se shkak i aksidentit mund të ketë qenë edhe një përgjumje e 18-vjeçarit. Për ta sqaruar më mirë dinamikën, policia pritet që të verifikojë kamerat në rrugë.

Kercuku, me origjinë shqiptare, në Mars kishte festuar 18-vjetorin. Ai ishte student i vitit të katërt në Bramante, ndërsa banonte në Libertà në Vallefoglia.

I riu donte të kalonte pak kohë me miqtë e tij pas punës, por çdo gjë u kthye në tragjedi.