Ekipet e shpëtimit në Spanjë po luftojnë me kohën për të mbërritur djalin 2-vjeçar që ka rënë në një pus në Costa del Sol një javë më parë.
Por përpjekjet e tyre janë vështirësuar së fundi nga një e papritur. Punonjësit e emergjencës po shpojnë një tunel vertikal me pusin ku ka rënë Julen Rosello, të cilin shpresonin ta përfundonin të dielën apo të hënën. Çështja është se kanë ndeshur në një zonë shkëmbore, e kjo do të thotë se tuneli nuk mund të përfundohet brenda afatit të shpresuar.
Ekspertët nuk e dinë me saktësi se ku ndodhet fëmija. Ata shpresojnë që 2-vjeçari të ketë ngecur në një thellësi prej 70 metrash, ku ka dhe një lloj bllokimi i cili nuk i lejon të dërgojnë ujë apo ushqime. Vetë pusi me diametër 25 centimetra llogaritet të jetë 100 metra i thellë. Deri tani nuk janë diktuar shenja jete, por po punohet me shpresën se fëmija është ende gjallë.
Mjete të tonazhit të rëndë janë dërguar në zonë, ku të gjithë janë angazhuar intensivisht për gjetjen e vogëlushit. Sapo të përfundojë tuneli paralel, punonjësit do të gërmojnë me duar për të hapur një tunel të dytë më të shkurtër, përmes të cilit të mbërrijnë në vendin ku mendohet se mund të ketë ngecur fëmija.