Prokuroria e Tiranës ka rihapur hetimet e pezulluara për vrasjen e Aleks Nikës në 21 janar 2011, pas kërkesës së policisë së Tiranës.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se prej 1 muaj është regjistruar hetimi e po vijohet me veprime konkrete. Po kështu, hetime kanë nisur edhe për dy persona të tjerë që kanë mbetur të plagosur gjatë protestës që u mbajt përballë kryeministrisë 10 vite më parë.
Rreth një muaj më parë Policia e Tiranës kërkoi që të bëhet rieksperimenti hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Bishës, Artes Dybelit, lia Qeskës dhe llia Papës.
Ndërkohë policia kërkon që të bëhet riekspertimi i predhës së gjetur dhe sekuestruar në trupin e viktimës, Aleks Nika.
Aleks Nika është një nga 4 viktimat e protestës së 21 janarit të thirrur nga Partia Socialiste që ishte në opozitë në atë kohë. Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë.
21 Janari
Katër persona u vranë gjatë protestës së 21 janarit. I pari që ka humbur jetën ka qenë Hekuran Deda, i cili është qëlluar ndërsa ndodhej në një tavolinë të vendosur nga kameramanët në anën e bulevardit, përpara Piramidës. Pas tij është qëlluar Ziver Veizi, i vrarë në vijë diagonale me Kryeministrinë, para portës së hekurt të këtij institucioni. Viktima e tretë është Faik Myrtaj, nga Fieri, i vrarë në hyrje të rrugicës mes Kullave dhe Gjykatës Kushtetuese. Aleks Nika u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi.
Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.