Aktualitet 22 rastet e reja në 24 orë: Pse Kurbini u kthye në...

22 rastet e reja në 24 orë: Pse Kurbini u kthye në një vatër të rrezikshme koronavirusi

Kurbini vijon të shënojë rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë. Nga 22 rastet e reja sot, 12 i përkasin Kurbinit.

Burime zyrtare pranë Institutit të Shëndetit Publik, bën me dije se personat që kanë rezultuar pozitiv për Covid janë punonjëse të fasonerisë në Krujë.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 233 persona të dyshuar me Covid-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 22 raste pozitive me Covid-19. Nga rastet e reja 3 janë në Shkodër, 2 raste në Tiranë. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në vatrën e Krujës ku kanë rezultuar pozitivë 5 persona dhe në Kurbin ku kemi 12 raste të reja. Deri në këto momente janë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, 584 raste”, deklaroi sot Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Të infektuarit e rinj janë:

12 të infektuar në Kurbin, duke e çuar totalin në 19

5 të infektuar në Krujë, duke e çuar totalin në 23

3 të infektuar në Shkodër, duke e çuar totalin në 99

2 të infektuar në Tiranë, duke e çuar totalin në 253

Kruja dhe Kurbini

Fasoneria në Krujë, e cila ka vazhduar punën deri më 17 prill, është kthyer në vatër të rrezikshme të përhapjes së Covid-19 në Krujë dhe Kurbin.

Të gjithë të infektuarit e 24 orëve të fundit, 12 në Kurbin dhe 5 në Krujë, kanë lidhje me fasonerinë: ata janë ose punonjës, ose familjarë të tyre.

Shkodër

Të infektuarit e rinj janë: një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, një pacient në spitalin rajonal, dhe një shitëse në një furrë buke.

Kjo e fundit është infektuar nga vajza e saj, infermiere në spitalin rajonal.

Në total në spitalin e Shkodrës, 8 mjekë e infermierë janë prekur me Covid-19.

Kurba e të shëruarve ka pësuar rritje

Që nga nisja e epidemisë, mes 584 rasteve me Covid në vend rezultojnë të prekur edhe 21 fëmijë. 44 pacientë po marrin ndihmë mjekësore në dy spitalet Covid, 10 prej tyre janë në terapi intensive.

Prej më shumë se një jave, kurba e të shëruarve ka pësuar rritje duke kaluar numrin e të infektuarve aktivë.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga Covid-19 në 327. Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë”.

Deri tani në vendin tonë, 26 persona kanë humbur jetën në betejën me Covid-19.