Partia Demokratike ka depozituar sot në KAS 10 dosje voluminoze që sipas saj provojnë masakrën elektorale në zgjedhjet e 25 Prillit.
Demokratët kërkojnë pavlefshmëri në 9 qarqe; atë të Tiranës, Beratit, Korçës, Fierit, Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Shkodrës. Në argumentet ligjorë përfaqësuesit e opozitës rendisin fakte që për ta përbëjnë prova të patjetërsueshme për tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve që nga blerja e votave deri tek shpërndarja e legalizimeve.
Në një dalje publike për mediat, përfaqësuesit e grupit të juristëve të PD-së, Marinela Ziu dhe Marash Logu thanë se bëhet fjalë për prova që tregojnë qartë atë çka e cilësojnë një masakër elektorale.
“Nga blerja e votave dhe presioni ndaj votuesve, tek vjedhja e të dhënave personale të qytetarëve nga partia-shtet dhe përdorimi i tyre për presione kriminale nga sistemi i patronazhistëve të partisë shtet. Nga angazhimi i shtetit dhe administratës, tek tenderat, punësimet, legalizimet dhe pagesat e paligjshme për të blerë vota. Nga kandidimi i përfaqësuesve të krimit të organizuar tek përdorimi i bandave për të blere vota dhe kërcënuar qytetarët nën mbrojtjen dhe mosveprimin e policisë dhe prokurorisë”.
Privimi nga e drejta e votimit e emigrantëve, si dhe vendimi i KAS-it, që hoqi nga fleta e votimit emrat e kandidatëve duke lënë numrat e tyre janë të tjerë argumente në morinë e provave të depozituara nga demokratët në KQZ.
“Këtu përfshihet edhe KAS-i që mori vendim politik, që miratoi një fletë votimi që bëri të pavlefshëm 83 mijë fletë votimi…”
Sakaq edhe Lëvizja Socialiste për integrim pas Dropullit kërkon përsëritjen e zgjedhjeve edhe në qarkun e Beratit, duke kërkuar shpalljen të pavlefshëm të procesit në 24 qendra votimi. Fjala e fundit për provat e depozituara në KQZ nga PD e LSI, i takon KAS-it, ndërkohë që në 25 Prill Partia Socialiste fitoi 74 mandate deputetësh, PD 59 dhe LSI 4 mandate deputetësh.