Top Channel është televizioni që ka përfituar më shumë para nga partitë politike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Në pasqyrat financiare të partive politike, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Top Channel rezulton të ketë fituar 18,655,010.00 lekë, i ndjekur nga Ora News+Channel One me 12,405,090.00 lekë, televizione në pronësi të Ylli Ndroqit.
Televizioni i tretë që ka fituar më shumë nga paratë e PS, PD dhe LSI, është Abc News me 8,933,078.00 lekë, më pas renditet Tv Klan me 6,808,307.00 lekë. Këto dy televizione janë në pronësi të Aleksandër Frangaj dhe fitimi i tyre i përbashkët tregon Frangaj ka fituar më shumë se Ora News, por jo më shumë se Top Channel.
Për News 24, partitë politike kanë dhënë 4,831,325.00 lekë, ndërsa për Vizion Plus vetëm 2,200,500.00 lekë.
Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton që pjesën më të madhe të parave e ka dhënë për spote televizive në Top Channel, ndërsa shifra është pothuajse e barabartë për Abc News dhe News 24. Për Ora News, LSI ka dhënë një shumë të vogël parash, ndërkohë nuk raportohet të ketë paguar për reklama në Tv Klan dhe Vizion Plus.
Partia Demokratike pjesën më të madhe të parave e ka derdhur te Ora News dhe më pas ka preferuar Top Channel. Tv Klan dhe Abc News kanë përfituar gjithashtu shuma të mëdha nga demokratët.
Edhe Partia Socialiste ka preferuar Top Channel dhe Tv Klan për të transmetuar më shumë spote. Ora News dhe News 24 janë paguar me të njëjtën shifër, ndërsa Vizion Plus ka përfituar nga socialistët pjesën më të madhe të parave që ky televizion ka marrë gjatë fushatës. PS ka paguar edhe disa televizione lokale, në veri dhe jug të vendit.