Aktualitet 27-vjeçarja u vetëvra pas publikimit të fotos intime, Balla: Të miratohen sa...

27-vjeçarja u vetëvra pas publikimit të fotos intime, Balla: Të miratohen sa më parë ndryshimet ligjore për dhunën online

Ministri i Brendshëm, Taulan Balla ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë ku një 27-vjeçare ka vendosur t’i jap fund jetës së saj duke u hedhur nga lartësia për shkak se i kishin publikuar një foto intime në rrjetet sociale.

Balla shprehet se i ka kërkuar Policisë së Shtetit të rrisin forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave. Ndër të tjera ministri thekson se duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line.

“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetasje. I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Gjithashtu ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt. #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, thuhet në reagimin e ministrit Balla.

27-vjeçarja ishte në proces divorci me bashkëshortin nga Kosova dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun, i cili është arrestuar lidhur me ngjarjen.

Gjatë kohës së njohjes mes tyre, ai i ka bërë foto 27-vjeçares në momentet e tyre intime dhe më pas kjo foto është publikuar në rrjetin social TikTok.