28 familje në zonën e Baldushkut do të marrin banesa të reja, në kuadër të procesit të Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Kryeministri i vendit Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës e komunikuan pasditen e sotme këtë finalizim të ndërtimit të banesave të reja për qytetarët.
Rama u shpreh se këto banesa janë më të forta, më të bukura e të mëdha se ato që u dëmtoi tërmeti dhe ata që i marrin në pronësi nuk i detyrohen asnjë qindarkë shtetit.
“Mbyllja e një pune që siç e keni parë ka qenë një punë jo e lehtë. Janë bërë investime të mëdha dhe kanë ecur me ritme të ndryshme për shkak se edhe konteksti ka qenë i ndryshëm. Sidoqoftë është vërtet kënaqësi që përpara një tjetër vit të ri në zonën e Baldushkut përmbyllet plotësisht procesi i Rindërtimit.
Dhe, të gjitha familjet e prekura vitin e ri do ta festojnë përfundimisht në shtëpinë e tyre, qoftë ata që shtëpitë i kanë prej kohësh, qoftë ata që shtëpitë do t’i kenë nesër. Është po ashtu me rëndësi që provat e prekshme, siç janë këto shtëpi, që nuk janë projekte, fotografi, por projekte reale që tregojnë atë që ne jemi zotuar që në krye të herës. Që të gjithë ata që humbën shtëpitë në tragjedinë madhe të tërmetit, do të rimarrin shtëpi më të forta, më të bukura dhe edhe më të mëdha.
Dhe akoma më e rëndësishmja pa paguar asnjë qindarkë dhe pa i pasur asnjë borxh shtetit. Shtëpitë janë tuajat, janë pasuri e patundshme e të gjitha familjeve qe i marrin këto shtëpi dhe mund të bëjnë çfarë të duan me to, t’i shesin, t’i japin me qera. Ky është procesi i parë i “Rindërtimit” në Europë dhe kur them në Europë, kam parasysh vendet shumë të zhvilluara si Italia dhe duke vijuar me Greqinë apo Turqinë. Qytetarëve nuk u vendoset asnjë barrë financiare siç thuhet në programet e këtij lloji, nuk ka asnjë lloj kredie, as të fortë as të butë. Janë pronë e patundur e tyre, mund të bëjnë çfarë të duan, t’i shesin, t’i japin me qera”, tha Rama.