Nëse për policinë në statistikat e krimeve për këtë 4 mujor kanë ndodhur 24 vrasje, në total në Shqipëri kanë humbur jetën 28 persona nga ngjarjet kriminale.
Ndryshe nga një vit më parë ku numri i krimeve të rënda ishte më i ulët me 6 vrasje për 4 muaj, kësaj here statistikat janë rënduar për policinë. 13 nga viktimat janë pasojë e krimeve brenda familjes ndërsa të tjerat krime mafioze, të cilat ende vijojnë të mbeten të pazbardhura ndonëse policia ka rënë në gjurmë të disa personave të dyshuar.
Krimet nisën që në hyrje të vitit ku më 17 janar në Korçë u ekzekutua Altin Balliu. Ngjarja ndodhi pas një sherri në lokal që patën viktima me autorin, Olger Mustafa. Në 30 janar, në Selitë, në prag të shtëpisë u vra ish-polici Arben Bilali.
Autorët ende nuk janë zbuluar ndonëse për krimin u ndalua një person që mund të ketë dijeni për ngjarjen. Në Pukë më 18 shkurt në fshatin Kaftallë Petrit Biba u qëllua për vdekje me breshëri plumbash. Autori Enderis Doda punonte bashkë me viktimën në një kantier ndërtimi.
Më 17 shkurt në Vlorë Aurest Rexho dhe Arjan Hasani u qëlluan për vdekje me breshëri. Nga të shtënat u plagos Armando Sulejmani që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Edhe për këtë rast policia nuk ka asnjë të dyshuar. Një ditë më pas, në Tepelenë, Sokol Rama, i cili rezultonte i zhdukur prej 6 shkurtit u gjet i ekzekutuar nga shoku i tij Roland Milo, i cili u vu në pranga.
Më 24 shkurt, Martin Ndreca u vra në zonën e Kënetës në Durrës nga një shoku i tij. Konflikti ndodhi pasi 45-vjeçari po pinte me Ndue Zefin i cili i zuri pritë dhe e qëlloi për vdekje. Më 15 mars, Esat Kotorri u qëllua për vdekje në biznesin e tij një furrë buke nga Seferino Troka për motive pronësie. Autori u arrestua pak momente pas ngjarjes.
Më pas në 16 dhe 18 mars kryeqyteti u trondit nga 2 vrasje. Haxhi Baçinozi u qëllua në kodrat e liqenit ndërsa Jurgen Kurti pranë shtëpisë së tij. Për krimet policia ka vënë në pranga disa persona. Në Grudë të Shkodrës krimi i mori jetën dhe Nard Polisë për të cilin polica ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.
2 ditë më pas, në 22 mars në qendër të Elbasanit u ekzekutua avokati Ravik Gurra. Për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë të dyshuar ndërsa ekzekutimi ishte i tipit mafioz. Më 30 mars, në Shkodër, u ekzekutuan vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali. i dyshuari kryesor i policisë është Ibrahim Lici por që ende nuk është arrestuar.
Krimet e rënda goditën dhe Laçin ku viktima mbetën Kelvin dhe Erion Jushi ndërsa autorët u vetëdorëzuan dy ditë pas krimit./A2News