Ka shkuar në 663 numri i të infektuarve në vendin tonë.
Në një deklaratë për mediat, Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik, bën me dije se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 29 raste të reja të prekur me koronavirus.
“Janë testuar 240 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 29 raste pozitive me COVID19, mes të cilëve një personel shëndetësor, e vetëizoluar në shtëpi. Nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, 20 janë në Tiranës, nga të cilat 13 i përkasin një vatre në një institucion të vuajtjes së dënimit, ku po vijon hetimi epidemiologjik, pas zbulimit të rastit të parë. 7 raste pozitivë janë në Krujë dhe 2 raste në Shkodër. Edhe pse ka një rritje të numrit të rasteve sot, ato janë të lokalizuara në dy vatra që po monitorohen dhe ndiqen me shumë vëmendje nga epidemiologët në terren.
Deri në këto momente janë testuar 6509 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 663 raste”.
Gjatë 24 orëve të fundit, 29 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 385.
Rezulton se deri tani Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë të shëruar.
Në spitalin Infektiv, Covid 1, aktualisht ndodhen të shtruar 26 pacientë, 4 në terapi intensive, ndërsa në spitalin Covid2, “Shefqet Ndroqi”, ndodhen të shtruar 8 pacientë, 4 në terapi intensive në gjendje të renduar.
Harta e të prekurve është zgjeruar në Tiranë, Krujë dhe Shkodër.
Ministria e Shëndetësisë vijon të bëjë thirrje qytetarëve për të respektuar rregullat dhe masat e marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së virusi.
“Pavarësisht luhatjes në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në kushtet e lehtësimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale. Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”.