Ministria e Shëndetësisë raportoi këtë të hënën për vdekjen e 3 pacientëve të tjerë me COVID-19 në Spitalin Infektiv dhe diagnostikimin e 71 rasteve të reja.
Doktoreshë Eugena Tomini tha në një konferencë për shtyp nga ministria, se viktimat ishin të moshave 63, 65 dhe 69 vjeç nga Tirana, Lezha dhe Puka, rasti i fundit ishte një mjek, njoftuar më herët gjatë paradites së sotme.
Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë:
Trendi i shtuar i rasteve të konfirmuara me Covid19 ka vijuar dhe gjatë javës që lamë pas, por njëkohësisht epidemia ka paraqitur një numër më të lartë të rasteve që janë hospitalizuar dhe të rasteve që kanë humbur jetën.
Është vënë re një numër më i lartë i testimeve, por përqindja e pozitivitetit është reflektuar me një nivel qëndrueshmërie pothuaj të njëjtë gjatë gjithë javës. Prezenca e rasteve me COVID19 është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetëndërgjegjësimin dhe zbatimin në mënyrë rigoroze të protokolleve higjieno sanitare të sigurisë.
Tre humbje jete
Në 24 orët e fundit 3 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm, mes tyre një mjek 69-vjeçar nga Puka, i cili luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në spitalin infektiv. Dhe dy qytetarë, një 63-vjeçar nga Lezha dhe një 65-vjeçare nga Tirana, megjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.
Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht janë 78 pacientë në spital, prej të cilëve 9 në gjendje serioze në terapinë intensive, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rënde.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 459 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë, Kamëz, Fier.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1702 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë institucioneve, subjekteve dhe gjithë popullatës të ndjekin rekomandimet e autoriteteve shëndetësore duke respektuar distancimin fizik në 1.5 metër dhe nëse nuk respektohet distanca përdorimi i maskës është i detyrueshëm.
Gjithashtu përdorni maskën në të gjitha ambientet e mbyllura, respektoni etiketën respiratore duke u kollitur dhe teshtirë në këndin e brrylit.
Të gjitha këto masa duhen të kombinohen me higjienën personale dhe kolektive.
Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga COVID19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.