Aktualitet 40 mijë përdorues droge në Shqipëri, rritet konsumi i kokainës

40 mijë përdorues droge në Shqipëri, rritet konsumi i kokainës

Në krahasim me vendet e tjera çmimet e drogës në vendin tonë janë më të lira. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Genci Muçollari, drejtues i një organizate jofitimprurëse që trajton përdoruesit e heroinës me metadon, jep disa statistika të frikshme.

Rreth 550 të varur nga heroina trokasin për të kërkuar ndihmë në dyert e organizatës, “Aksion plus” në kryeqytet, por dhe në degët e saj nëpër rrethe.

Shumica prej tyre janë në Tiranë, rreth 200 përdorues. Të tjerët në qytete të tjera, rreth 350 vetë, përfshirë edhe ato që vuajnë dënimet në burgje.

“Në Shqipëri rreth 40 mijë persona janë përdorues të drogërave të llojeve të ndryshme”, thotë Muçollari që vë në dukje rritjen e përdoruesve të kokainës.

“Në vendin tonë droga më e përdorur aktualisht është marijuana, kjo për shkak të çmimit të lirë që ka dhe për faktin se nuk është një drogë e fortë. Pas saj vjen heroina, por është vënë re kohët e fundit një trend në rritje i përdoruesve të kokainës”, thotë Muçollari, që vëren se çmimet e drogës në vendin tonë janë më të ulëta se në të gjithë rajonin.

“Bazuar në statistikat e fundit të publikuara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet, Shqipëria rezulton si vendi me çmimet më të ulëta në rajon për sa i përket kokainës dhe hashashit, në një kohë që ka prevalencën më të lartë të përdoruesve. Sipas të dhënave vendi ynë renditet i pari në rajon pasi ka prevalencën më të lartë të personave që kanë provuar kokainë të paktën një herë në jetën e tyre. Ndërsa jemi të 2-tët në rajon, pas Kroacisë për përdorimin e kanabisit gjatë jetës. Kjo vjen si pasojë e çmimeve të lira ku kanabisi në Shqipëri kushton më lirë se në çdo vend tjetër të rajonit, ku te ne përdoruesit mund të blejnë një gram marijuanë për vetëm 5 dollarë, ndërsa në Malin e Zi, e njëjta sasi blihet për 26 dollarë. Në krahasim me Kosovën, numri i përdoruesve për vendin tonë është më i lartë”