Sport 5 gjëra që mësuam nga derbi i Italisë: Higuain i çmuar, Pjanic...

5 gjëra që mësuam nga derbi i Italisë: Higuain i çmuar, Pjanic “mposht” Brozovic

Nga dyshimet e Handanovic deri tek spektakli i ndeshjes, nga Higuain, gjithmonë vendimtar e deri te dueli në distancë midis Pjanicit dhe Brozovicit. Goal.com i bën një analizë derbit Inter-Juventus 1-2, ku nxjerr në pah supremacinë e bardhezinjve në disa pika.

Seria A di ende të dëfrejë

Ishte një përballje me intensitet të jashtëzakonshëm, që i mbajti të gjithë pezull deri në “bilbilin” e fundit të gjyqtarit kryesor. Një shfaqje mbresëlënëse e Serisë A, që ka treguar se ka ende gjëra të bukura për të ofruar, falë dy skuadrave, që nuk janë kursyer dhe që do të luftojnë për një kohë të gjatë këtë sezon.

Handanovic, jo në formën më të mirë

Nuk është hera e parë që Samir Handanovic humbet kontributin e tij për ekipin zikaltër, pikërisht në sfidat më delikate. Portier me cilësi të padyshimta, shpeshherë vendimtar, por që duket se i vuan shumë sfidat ndaj Juventusit. Në të dy golat e pësuar, ai mund të kishte bërë shumë më tepër.

Higuan, “gur” i çmuar

Ai hyn në fushë në minutën e 61-të dhe më pak se njëzet minuta më vonë shënon golin vendimtar, me një të djathtë të fuqishme. Argjentinasi risolli në mendjen e shumë tifozëve të Juventusit atë gol të famshëm, në “frymën e fundit”, që në fakt vendosi garën për titullin, dy vite më parë. “Pipita” shënoi pikërisht në atë portë, një minutë para mbarimit të kohës së rregullt, në atë fitore dramatike (2-3) të Juventusit në “San Siro”.

Anësorët “zhduken” tek Interi

Asamoah dhe D’Ambrosio kanë luajtur një ndeshje të zakonshme. Asgjë e veçantë për t’iu atribuar dy anësorëve zikaltër. Sidoqoftë, nga një ekip si Interi është e arsyeshme të pritet pak më shumë në korsitë anësore. Në këtë aspekt, si Conte, ashtu edhe klubi, me siguri do të punojnë në këtë drejtim.

Pjanic fiton “duelin” me Brozovic

Një nga duelet, përmes të cilit e fitoi ndeshjen Juventusi, ishte ajo mes dy “regjisorëve”. Pjanic e mposhti Brozovic, si në posedim e pasim topi, ashtu edhe në të kundërtën, duke dëshmuar se ishte një lojtar krejtësisht tjetër nga kroati. Nga ana tjetër, Brozovic u pa në vështirësi, veçanërisht në pjesën e parë, kur ka pasur një kontribut të pamjaftueshëm.