Aktualitet 5 qytete janë “shëruar” nga koronavirusi

5 qytete janë “shëruar” nga koronavirusi

Pas rreth 42 ditësh në karantinë, 5 qytete në Shqipëri janë “shëruar” nga koronavirusi. Të gjithë të prekurit në Berat, Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë dhe Tropojë, janë shëruar dhe nuk ka asnjë rast të ri.

“Rezulton se Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar“, – u shpreh zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Ndërkohë përveç Krujës me 18 të infektuar, raste të reja me koronavirus janë shënuar edhe në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Kurbin.

“Vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin. Deri në këto momente janë testuar 6269 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 634 raste“, – u shpreh Rakacolli.

“Pavarësisht luhatjeve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme“, – theksoi Rakacolli.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 33 të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.