Në kuadër të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nisur nga rrezikshmëria e theksuar e secilit prej personave, bazuar në veprën penale që ka kryer dhe në masën e dënimit të marrë nga gjykatat, duke filluar nga masa më e rëndë, burgim i përjetshëm dhe deri në 25 vjet burgim, është përcaktuar lista me 50 personat më të kërkuar, që do jenë objekt i punës së forcës së posaçme.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit përcolli emrat dhe të dhënat e 5 prej tyre, ndërsa tha se çdo ditë do të publikohen nga 5 persona që janë objekt i punës së Njësisë së Kërkimit.
Kjo e fundit, thotë policia, do të marrë gjithë masat e duhura për realizimin e kërkimit të këtyre personave dhe kapjen e tyre, duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse në Drejtoritë Vendore të Policisë, si dhe me strukturat homologe të vendeve evropiane që bëjnë pjesë në rrjetin ENFAST.
Policia e Shtetit është e vendosur për të kapur dhe çuar para drejtësisë të gjithë personat e kërkuar dhe në këtë kuadër kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që pas çdo publikimi të fotove të personave në kërkim, në rast se disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tyre, të njoftojnë në “Komisariatin Dixhital” apo numrin falas 112, duke u siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.