Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan në një deklaratë së bashku me kryeministrin Edi Rama pas konferencës së mbajtur në Stamboll foli për Top Channel edhe për premtimin e tij për ndërtimin e 500 banesave në vend pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Do jemi në kontakt me ministren e Kulturës në Shqipëri që të diskutojmë për pjesën e rindërtimit. Do të diskutojmë sërish edhe me kryeministrin Rama për këtë pjesën e ndërtimeve.
Do tu tregojmë shokëve tanë që janë atje edhe për ndërtimet, disa prej tyre do jenë më bazë çeliku. Mendoj që brenda 6 muajve maksimumi deri në një vit ndërtesat do jenë kryer. Për shkak të dimrit do dërgojmë çadra specialisht për dimër për të gjithë ata që janë pa shtëpi”, tha Erdogan.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha për Top Channel se “takimi me Erdogan zgjati rreth 3 orë. Folëm për shumë gjëra, në të gjitha aspektet. Kemi të gjitha çadrat e nevojshme kanë filluar të instalohen, të tjerat nisen sot. Për banesat ka filluar puna, po përcaktojmë vendet. Ndihma ka qenë e gjithë anshme, nuk flasim vetëm për çadra kanë ardhur dhe njerëz, jo vetëm gjëra materiale”.
Kryeministri zbuloi se ka folur edhe me Macron për ndihmën në këtë situatë, “ai është në gatishmëri për ta mikpritur një samit të tillë për Shqipërinë, por është në diskutim. Po punojmë ndërkohë më ekspertët e huaja për të përgatitur raportin e post katastrofës”.