Siç njofton “L’Equipe” që në faqen e parë, Real Madridi ka përgatitur 500 milionë euro për merkaton e kësaj vere. Presidenti Florentino Perez duket i vendosur për ta forcuar grupin e lojtarëve, që do të jenë në dispozicion të trajnerit të rikthyer, Zidane. Prestigjiozja franceze shkruan edhe për përforcimet, që kanë në mendje në “Santiago Bernabéu”.
Si gjithmonë, sipas informacioneve të publikuara nga “L’Equipe”, Kylian Mbappé, Paul Pogba dhe Eden Hazard mbeten të parët në listën e dëshirave të Real Madridit, për të udhëhequr projektin e ri te të bardhët. Për t’i bindur tri yjet në fjalë përmendet interesi që vetë lojtarët kanë shfaqur për t’u vënë nën komandën e Zidane. Është e vërtetë se të dy, Pogba dhe Hazard, nuk e kanë fshehur dëshirën publike për t’u trajnuar nga “Zizou”.
Ata e kanë nënvizuar këtë edhe kohët e fundit, ndonëse largimi i tyre nga Manchester United dhe Chelsea nuk duket i lehtë. Edhe më i vështirë duket misioni i Florentino Perez për të marrë Mbappé nga PSG. Siç është raportuar nga MARCA në ditët e fundit, sulmuesi është një gur themeli i projektit sportiv dhe financiar të PSG, i cili nuk ka ndërmend ta lejojë yllin e vet të largohet.