Momenti i shumëpritur po vjen. Këtë fundjavë në një nga katedralet më të famshme të qytetit të Sevilles, kapiteni i Realit të Madridit Sergio Ramos do të lidhë kurorë me partneren e tij, prezantuesen televizive Pilar Rubio me të cilën është në një lidhje dashurie që nga viti 2012 dhe ka 3 djem.
Por më shumë sesa ceremonia martesore e çiftit Ramos-Rubio e cila ishte vendosur prej kohësh, lajmi i bujshëm ka të bëjë me faktin se mbrojtësi i Los Blancos nuk ka ftuar në dasmën e tij, ish-shokun e skuadrës Cristiano Ronaldon me të cilin luajtën për 9 vite sëbashku te Reali i Madridit. Një lajm bombastik ky i zbuluar nga gazeta madrilene Marca që nënkupton se marrëdhëniet shoqërore mes kapitenit të Realit të Madridit dhe 5-herë fituesit të Topit të Artë nuk kanë qenë aspak të mira, madje në largimin e CR7-ës nga Madridi mund të ketë ndikuar edhe raporti jo i mirë me Sergio Ramos.
Në dasmën çiftit Ramos-Rubio do të jenë plot 500 të ftuar mes tyre edhe dyshja e famshme David Bechkam-Victoria Beckham me anglezin që ka luajtur bashkë me Ramosin te Reali për 2 vite, ndërkohë që Sergio ka ftuar në dasëm edhe shokun e tij të repartit në kombëtaren spanjolle Gerard Pique i cili do të shoqërohet nga partnerja e tij, këngëtarja Shakira. Dy emra këta që shtojnë thashethemet mbi vendimin e Ramos për të mos ftuar Ronaldon. Në festën që do të zhvillohet pas cermonisë në kishë, do të performojë grupi i njohur muzikor i rock-ut AC/DC, prania e të cilëve në dasmë do t’i kushtojë xhepave të çiftit Ramos-Rubio plot 900 mijë paund. Të pranishëm në atë që konsiderohet si dasma e vitit do të jenë edhe presidenti i Realit Perez dhe trajneri Zidane ndërsa i ftuar është edhe portieri legjendar i Los Blancos Iker Casillas, prania e të cilit është ende në dyshim për shkak të atakut në zemër që pësoi disa javë më parë.