Sot, sipas buletinit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të infektuarve në 24 orët e fundit, ishte 57, një shifër alarmante kjo.
Por rritja e numrit të të infektuarve ditorë me COVID-19 nuk është problemi kryesor sipas mjekut epidemiolog, Ilir Alimehmeti.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” mjeku u shpreh se kjo nuk duhet parë si gjëja më shqetësuese, por situata në spitale po.
“Nuk mund ta mohojmë faktin se po infektohen më shumë raste. Por numri i rasteve të reja nuk do të thotë çdo gjë. Duhet të kemi parasysh se e rëndësishme është mospërmbytja e sistemit shëndetësor. Pra, vëmendja është aty, të mos kemi fluks të madh në spitale. Rastet e reja duhet të izolohen patjetër. Shifrat tregojnë se vetëm 10.6 rasteve aktive janë të shtruar në spital nga rastet e reja, pra më shumë se 80.4% prej tyre janë në shtëpi”, u shpreh Alimehmeti.
Ai foli për një nga problematikat më të mëdha në vend, atë të numrit të ulët të testimeve: “Jemi vendi me numrin e testimeve më të ulëta në Europë. Duhet të kemi më shumë testime që të kuptojmë situatën reale. Kurba e virusit do varet nga testimet që do bëjmë”.
Mjeku foli më tej për testime serologjike në masë, në mënyrë që të kuptohet se si dhe sa është përhapur virusi në vend.
“Ka ardhur koha për testime seriologjike në masë. Kështu flasim në errësirë dhe nuk e dimë asnjëherë rezultatin real”, tha ai.
Kruja ka numrin më të lartë të rasteve ditore, me 16 të prekur që lidhen me aktivitete biznesi dhe kontakte të tyre, e ndjekur nga Tirana me 14 raste, 9 në Vlorë, 8 në Shkodër, 6 në Lushnje, 2 në Pukë, 1 në Durrës, 1 në Fier.