Shqipëria vijon të regjistrojë shifra të larta infektimesh nga Covid. Nga 3469 testime, 16 % kanë rezultuar pozitivë, ose thënë ndryshe 570 qytetarë janë konfirmuar me Covid.
Shumica vijojnë të jenë në Tiranë, ku gjatë 24 orëve kanë rezultuar 260 raste me Covid duke e çuar numrin e të infektuarve aktivë vetëm në kryeqytet në mbi 4 mijë persona.
45 raste janë regjistruar në Fier, 33 në Durrës, 19 në Vlorë, nga 18 qytetarë në Kamëz dhe Sarandë, 17 raste në Gjirokastër. Në të gjithë vendin janë 7,780 pacientë aktivë me Covid-19.
Fatkeqësisht 4 pacientë të moshave 62-77 vjeç nga Kavaja, Durrësi, Korça dhe Tirana, nuk e kanë fituar betejën me Covid.
Aktualisht në dy spitalet Covid po marrin trajtim 164 pacientë, nga të cilët 13 janë në gjendje më të rënduar. Mjekët apelojnë kryerjen e vaksinës për të gjithë popullatën mbi 16 vjeç, si të vetmen armë kundër Covid-19.