Janë zbardhur detaje të reja nga grabitja me dhunë që ndodhi gjatë mesnatës së djeshme në banesën e shtetasit Tom Tinaj në Vermosh. Përmes një deklarate për media nga spitali, bashkëshortja Miri Tinaj, 58 vjeç, zbulon dinamikën si ndodhi ngjarja.
58-vjeçarja shprehet se përpara se të flinin në orën 1 të natës disa persona të armatosur kanë hyrë në banesë dhe i kanë dhunuar në mënyrë që t’i tregonin vendin ku i kishin fshehur paratë. Pas dhunës së ushtruar çifti i të moshuarve është dorëzuar dhe u ka dhënë paratë që dispononin, ku sipas 58-vjeçares ishte një shumë e konsiderueshme.
Pasi janë larguar autorët kanë vjedhur dhe automjetin e çiftit të cilin policia e ka gjetur të përplasur pak më tutje.
“Kena qenë në shtëpi me burrin, kena ndejtur deri në 1 duke folur me fëmijët tanë. Unë shkova për të fjet pak më përpara, ai ndejti dhe pak. Në orën 1 e pak erdhi për të fjetur. Krisi diçka.
Kanë ardhur dy persona të maskuar dhe me automatikë në duar. Kanë lidhur burrin te parin dhe unë qëndrova më shumë, por më pas më rrahën dhe më lidhën edhe mua.
Më thanë ku i keni paratë. Ne i thamë qe nuk kemi, por ata na dhunuan dhe pastaj i treguam. Kanë marrë paratë dhe më pas janë larguar duke na lënë të lidhur. Unë jam dëmtuar më shumë ndaj edhe kam ardhur ne spital. Kemi qëndruar për rreth një orë e gjysmë të lidhur dhe unë kam ecur duke u zvarritur deri sa kam shkuar në kuzhinë.
Aty kam marrë një thikë dhe jam liruar. Kam njoftuar komshinjtë dhe me pas edhe policinë. Policia duke ardhur rrugës ka hasur me automjetin e aksidentuar që na kanë marrë autorët nga oborri i shtëpisë. Ne kemi pasur goxha para sepse ka marrë burri kursimet e pensionit, lekët qe na kanë sjell djemtë plus edhe kemi punuar duke shitur prodhimet tona. Pasi kanë marrë paratë dhe sendet e argjendta janë larguar”, tha gruaja.