Aktualitet 6 të arrestuar për mashtrim me kriptomonedha, SPAK: 8 shtete në skemën...

6 të arrestuar për mashtrim me kriptomonedha, SPAK: 8 shtete në skemën abuzive

Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, ka bërë me dije në një konferencë për shtyp se “prej më shumë se një viti po hetohet një skemë abuzive në fushën e kriptomonedhave”, ku është përfshirë edhe Shqipëria, së bashku me 7 shtete të tjera.

“Prej më shumë se një viti hetohet një skemë abuzive në fushën e kriptomonedhave. Janë përfshirë 8 shtete në hetim, përfshirë Shqipërinë. U bëj thirrje shtetasve shqiptarë që të mos përfshihen në këto aktivitete kriminale, që në dukje të sjellin një fitim të shpjetë, por më pas sjellin ndëshkimin për veprën e kryer”, tha Kraja.

Deri tani, 6 janë personat e arrestuar, 4 nga SPAK dhe 2 me urdhër-arresti të huaj.

Ened Nakuci, prokuror i SPAK, dha detaje nga operacioni: “Hetimi i nisur bazë një informacioni nga Spanja për “call center” në Shqipëri që mashtronin shtetas spanjollë. Pas ekzekutimit të disa letërporosive, u krijua një skuadër e përbashkët hetimore e ngritur nga autoritetet suedeze. Për shkak se në këtë veprimtari përfshiheshin disa kompani që operonin në Shqipëri, SPAK regjistroi një hetim. Janë me qindra e mijëra viktima. Të dyshuarit kanë bërë vjelje të ardhurash me kriptovaluta. Sipas hetimit, dëmi i shkaktuar është rreth 50 milionë euro çdo tre muaj”.

Ndërsa kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, u shpreh: “Për mua është hera e parë që dalim bashkarisht para publikut, për rezultatet e një pune të suksesshme, por nuk është hera e parë që takoj drejtuesit e SPAK-ut. Nga dita e parë e punës kam pasur qëllim krijimin e një klime bashkëpunimi institucionale. Nga Kraja na janë krijuar të gjitha lehtësirat për rezultate konkrete”.

“Jetojmë në kushte globalizmi, ku është krijuar terren i favorshëm që krimi inteligjent të gjejë shtrirje kapilare në gjithë botën. Bashkë me bashkëpunëtorët e mi në polici jemi duke punuar për të rialokuar burimet tona njerëzore e logjistike dhe përshtatje të strukturave në këtë realitet të ri”, shtoi Rrumbullaku.