Rëndohet bilanci i viktimave si pasojë e koronavirusit në vendin tonë. Në 24 orët e fundit e kanë humbur jetën 6 qytetarë të tjerë, numri më i lartë ky që prej 25 prillit të shkuar. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se viktimat janë të moshave nga 55 deri në 81 vjeç dhe dy prej tyre janë nga Durrësi, një nga Tirana, një nga Fieri, një nga Puka dhe një nga Gjirokastra. Që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë e kanë humbur jetën 2,563 qytetarë.
Situata nuk duket premtuese edhe në dy spitalet Covid, pasi numri i pacientëve që po marrin trajtim të specializuar mjekësor është rritur sërish. Sipas raportit ditor të autoriteteve të shëndetësisë aktualisht në Spitalet COVID po marrin trajtim 206 pacientë, nga të cilët 34 janë në gjendje më të rënduar.
Të larta mbeten edhe infektimet, teksa në 24 orët e fundit nga 5723 testime të kryera kanë rezultuar 942 raste të reja. 238 raste janë zbuluar në Tiranë, 75 në Fier, 74 në Durrës, 70 në Shkodër, 39 në Lezhë, ndërsa bashkitë e tjera kanë një numër më të vogël infektimesh me Covid.
Gjithashtu në 24 orët e fundit janë shëruar 832 qytetarë ndërsa mbeten edhe afro 12 e 800 raste aktive në gjithë vendin.
Nisur nga situata e vështirë pandemike, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve mbi 18 vjeç të shfrytëzojnë muajin e hapur të vaksinimit dhe të imunizohen sa më parë.