Gjashtë vite më parë, më 5 Shtator 2016, botës ju shtua një shenjtore e re, Shenjta Terezë.
Në një ceremoni të posaçme në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Francesku njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së Nënë Terezës në vitin 1997.
Me rastin e kësaj dite të shënuar, e cila në Shqipëri është festë kombëtare, ka reaguar Presidenti Bajram Begaj.
“𝗦𝗵𝗲𝗻𝗷𝘁 𝗧𝗲𝗿𝗲𝘇𝗮 𝗲 𝗞𝗮𝗹𝗸𝘂𝘁𝗲̈𝘀, dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor. Bija shqiptare është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit e të harruarit. Në një botë, që rend drejt materiales, shembulli i saj na fton të shohim brenda vetes, brenda familjeve dhe shoqërive tona për të kultivuar dashurinë për tjetrin dhe vlerat më të mira shpirtërore të popullit tonë, të cilat Nënë Tereza i ka lartësuar si askush tjetër në botë. E sotmja duhet të jetë një ditë reflektimi për secilin prej nesh për më shumë solidaritet për të afërmin, dashuri për njëri-tjetrin dhe shërbim për vendin”, shkruan Begaj.
Po ashtu ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
“Dhe në këtë Ditë të Shenjtërimit të gruas së paqes në botë, shqiptares Nënë Tereza, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Nënë Tereza, e njohur si Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, lindi në vitin 1910 në një familje shqiptare në Shkup. Në moshën 18-vjeçare u bë murgeshë.
Fillimisht u specializua në Irlandë dhe më pas shkoi në qytetin Kalkuta të Indisë. Në vitin 1950 themeloi urdhrin e murgeshave, Misionarët e Bamirësisë. Qëllimi i saj i vetëm ishte të ndihmonte njerëzit e vuajtur, të pamundurit dhe t’u shërbente të varfërve, gjë që e bëri deri në fund të jetës së saj.