Opinione 60 kërkesa Lulzim Bashës!

60 kërkesa Lulzim Bashës!

I nderuar z. Lulzim Basha po ju drejtohem si qytetar me këtë letër publike që të përfshini në përmbajtjen e fushatës elektorale edhe këto 60 kërkesa për rinovimin e administratës publike shqiptare, dhe pak më gjerë, sepse ajo ka mbetur po aq banale dhe mediokre sa edhe ajo e dëshmuar si fiksion nga filmi “Koncert në vitin 36”, e këtej, pra e Baba Qemos!

Pse juve? Sepse si jurist e njihni sa të rëndësishme janë reformat në administratë, si opozitë keni detyrë ta shkundni debatin elektoral me novacione dhe jo të përgjumemi si qytetarë, sepse i një partie të djathtë e kuptoni se përpos fushatës është halli te elitat teknike dhe burokratike të vendit që vuajnë deri në vjellje! Pastaj edhe republika e re!

Kërkesat:

1. Hiqen të gjitha privilegjet në pensione apo në trajtime të tjera shërbëtorëve të parë publikë, deputetëve! Trajtimi i tyre material i privilegjuar është një atentat ndaj barazisë së shtetasve dhe thyen barazinë e tyre para ligjit.

2. Të gjithë ata punonjës të administratës që gjyqi me vendim i kthen në punë, është e detyrueshme të kthehen në punë dhe rrogat e paguara zëvendësuesve apo atyre vetë pa bërë punë, t’u vihen në ngarkim përgjegjsve të tyre.

3. Asnjë nëpunës nuk mund të bëjë “kërcime” në karrierë, dhe të ngrihet më lart se dy rrangje nga pozicioni që mbante më parë. Karriera graduale është zëmra e burokracisë.

4. Hiqet dorë nga praktika e republikës së vjetër që ministritë ndahen si llokma elektorale ndaj partie politike në koalicion. Mos e ndani shtetin sipas partive aq sa një partie e trashëgon një ministri nga fillimi deri në fund të një mandati legjislativ. Kjo është e turpshme!

5. Administrata publike, cdo agjenci e saj, ministri apo drejtori, duhet të bëjë cdo vit bilancin e arritjeve dhe të metave duke e botuar në një raport publik vjetor të botuar dhe me akses për cdo qytetar dhe sipërmarrje.

6. Kërkohet që ministrat në krye të 2 vjetëve në detyrë të dalin në riafirmim të postit të tyre vetëm pasi të marrim besimin e komisioneve parlamentare përkatëse dhe të kuvendit. Cdo ministër brenda dy viteve votëbesohet individualisht.

7. Asnjë ministër të mos jetë deputet sepse kjo infekton rëndë ndarjen e pushteteve. Madje as kryeministri nuk ka përse të jetë deputet! Aktualisht që prej “shekujsh” kryeministri në fakt drejton me sy e me vetulla edhe punimet e kuvendit!

8.Asnjë antar partie në administratë. Kush hyn në administratën publike dorëzon teserën e partisë.

9. Asnjë punonjës i administratës publike, si policët dhe oficerëtj, edhe ata, nuk kanë të drejtë të dalin në fushata dhe mitingje elektorale as para puble as pas buke, pra as në orarin zyrtar dhe as pas tij.

10. Cdo punonjës i administratës publike duke përfshirë edhe vetë ministrat në rast se kandidojnë në një fushatë elektorale duhet të japin më parë dorëheqjen nga posti që mbajnë!

11. Të njihet e drejta e punonjëve të administratës publike për të krijuar dhe marrë pjesë në Unionin profesional të administratës publike si përfaqësuesja kolektive e interesave të punonjësve të kësaj administrate në mbrojtjen e tyre në punë.

12. Pasi të bëhet monitorimi dhe matja e proceseve të punës të shfryhet administrata publike së paku në 50% të numrit aktual të punonjësve që vjen për arsye trafiqesh të mirëfillta elektorale.

13. Asnjë i afërm i rrethit të parë familjar të një ministri, deputeti, etj., i ngjashëm me ta, nuk mund të punësohet në administratën publike pasi të parët kanë marrë postet përkatëse. Familjariteti po bën kërdinë. Kjo të aplikohet edhe për pronarët e cdo medieje.

14. Në asnjë administratë publike nuk mund të punojnë njëkohësisht, burri dhe gruaja, prindërit dhe fëmijët, vëllezër e motra.

15. I gjithë dokumentacioni jo sekret shtetëror i cdo administrate publike të vendoset on line dhe të jetë i aksesueshëm nga cdo qytetar i interesuar, sipas parimit të “open source”.

16. Cdo moskthim përgjigjeje brenda një afati shumë të shkurtër kohor të përcaktuar me ligj nga ana e një nëpunësi ndaj qytetarit të ndëshkohet me gjoba dhe masa të tjera administrative dhe të shënohet në cv e nëpunësit.

17. Rrogat dhe shpërblimet e nëpunësve të administratës të ndahen në dy pjesë, paga fikse dhe paga në funksion të performancës personale vjetore të cdo nëpunësi ose drejtorie.

18. Të konceptohet dhe përpilohet karta etike për nëpunësin e administratës publike dhe të shpallet dhe të bëhet e detyrueshme vendosja e saj në cdo zyrë administrate dhe në hyrje të cdo institucioni.

19. Asnjë punonjës administrate publike të mos emërohet në detyrë pa pasur notën mesatare mbi 8,5 gjatë diplomimit të tij. Forumet rinore të partive politike janë bërë tramplina punësimi në administratë e të rinjve.

20. Cdo administratë të hapi dhe të modernizojë sipas kritereve zyrën e ankimimeve publike dhe kjo të jetë pjesë e komunikimit publik e administratës që tani pothuajse është zhdukur.

21. Asnjë titullar nuk ka të drejtë të emërojë një të afërm të tij edhe të shkallës së dytë a të tretë të lidhjes familjare pasi është emëruar në detyrë.

22. Askush nuk mund të qendrojë nëpunës sado i ulët në administratë nëse për të ka një vendim dënimi nga gjykata.

23. Cdo nëpunës i administratës publike duhet që të ketë tre diploma, atë universitare, të një gjuhe të huaj, si edhe diplomën e shkollës së administratës publike, të një niveli të caktuar, marrë jo më larg sesa tre vjet nga data e emërimit të tij.

24. Cdo nëpunës duhet të certifikojë cdo pesë vjet kompetencat e duhura për vendin e tij të punës.

25. Cdo shkelje financiare administrative e konstatuar nga kontrolli i lartë i shtetit është në ngarkim të titullarëve të institucionit.

26. Kryeministri të detyrohet që cdo shkelje të konstatuar nga kontrolli i lartë i shtetit ta dërgojë edhe ai në Prokurori.

27. Të krijohet agjencia qendrore e etikës të administratës publike, e cila survejon dhe vigjëlon për deontologjinë e nëpunësit të administratës publike.

28. Të krijohet shërbimi administrativ on line për qytetarët.

29. Të gjitha shërbimet e thjeshta administrative që nuk prodhojnë parà të jenë falas për personat fizikë.

30. Në cdo administratë, femrat të jenë jo më pak se 50 përqind e numrit të përgjithshëm të nëpunësve.

31. Të gjitha ndërtesat e administratës publike të bëhen urgjentisht të aksesueshme për personat me aftësi fizike të kufizuara.

32. Në të gjitha mjediset e shërbimeve të administratës publike ose në “open space” të vendosen kamera të monitorueshme.

33. Ndalohen marrjet e dhuratave dhe pasuria e cdo punonjësi të administratës publike të monitorohet me detyrimin për t’u justifikuar në cdo cast dhe pas cdo periudhe, në hyrje apo gjate ushtrimit të detyrës.

34. Asnjë nëpunës nuk mund të ushtrojë një detyrë nëse ai ose familja e tij janë në konflikt interesi midis të mirës publike dhe interesave private të tij.

35. Asnjë nëpunës nuk mund të jetë në detyrë nëse ai ose pjestarë të rrethit të tij të parë familjar ushtrojnë biznese në atë fushë që mbulon administrata përkatëse.

36. Punonjësit e administratës në shërbim të qytetarit duhet të jen me uniforma.

37. Zyrat e burimeve njerëzore plotësojnë cdo vit cv e nëpunësve duke dhënë vlerësimet përkatëse sipas standarteve përkatëse.

38. Vlerësimi vjetor i nëpunësve bëhet me sistem vlerësimi cilësor dhe sasior me notat përkatëse. Pa pasur një nivel të caktuar vlerësuar nga komisioni përkatës, askush nuk mund të ngrihet në detyrë ose në rang.

39. Në cdo administratë qendrore krijohen këshillat e vlerësimit të karrierës të nëpunësve të përbëra nga specialistë të jashtëm caktuar nga agjenci të jashtme tekniko-shkencore, nga përfaqësues të personelit si edhe nga pushteti ekzekutiv.

40. Asnjë nëpunës i administratës publike nuk mund të rikthehet, pasi ka ikur nga kjo administratë, në po atë nivel dhe rang ku ka qenë, ose më poshtë tij.

41. Të vendosen rangjet e nëpunësve të administratës publike.

42. Cdo nëpunës së pak 10 përqind të ditëve të punës gjatë një viti duhet t’i ketë të planizuara në terren.

43. 50 përqind e agjencive apo departamenteve të administratës publike të cvendoset nga Tirana nëpër rrethe në kuadrin e decentralizimit territorial të administratës publike.

44. Të hiqen këshilltarët e jashtëm që shpesh janë qoka akorduar militantëve apo beniaminëve personalë.

45. Asnjë ministër të mos drejtojë borde ose keshilla brenda administratës që ai drejton politikisht.

46. 10 përqind e nëpunësve të jenë me kohë të pjesëshme pune, ardhur nga agjenci dhe institucione teknike ku vazhdojnë pa shkëputje punën e tyre.

47. Të krijohet qendra e novacionit të vazhdueshëm administratës publike.

48. 10 përqind e investimeve të negociuara nga një administratë të përdoren për inovacionin e saj, për përmirësimin e bazës teknologjike, si edhe për shperblime për punonjësit e saj.

49. Asnjë tenderim nuk mund të kryhet sipas vendimeve të administratës, por me praktikat e ankandit publik.

50. Të vendosen medaljet e punës në administratën publike dhe të shoqërohen me motivet përkatëse materiale, morale dhe të karrierës.

51. Punonjësi civil të pajiset detyrimisht me adresë web dhe të jetë i detyruar t’i përgjigjet kërkesave, pyetjeve dhe vërejtjeve qytetare on line.

52. Mosha mesatare e të gjithë punonjësve të administratës publike në cdo agjenci të variojë midis 35 dhe 50 vjeç.

53. Asnjë punonjës që nis për të herë të parë një marrëdhënie pune në administratën publike të mos ketë të drejtë ta nisi me një rang më të lartë sesa rangu më i ulët.

54. Punonjësi i administratës publike të përfitojë nga shërbimet restoratore dhe të kafenesë në qendrën e tij të punësimit me tarifa të veçanta.

55. Punonjësi i administratës publike veç kryeministrit nuk mund të përdori asnjë mjet transporti zyrtar (veturë) jashtë shërbimeve zyrtare që kryhen.

56. Punonjësi i administratës publike të ketë të drejtën e përfitimit të shpërblimeve suplementare në varësi të të ardhurave që krijohen në sektorin që mbulon si pasojë e punës së tij.

57. Të përcaktohen “gabimet e rënda etike dhe profesionale” në krye të detyrës dhe masat disiplinore që i shoqërojnë ato.

58. Punonjësi i administratës publike përfiton bonuese financiare sipas shkallëve të ndryshme për cdo periudhë kohe pune në këtë administratë.

59. Punonjësi i administratës publike edhe pas pesë vitesh nga dalja prej pune nga kjo administratë nuk ka të drejtë të punojë në sektorin privat që administrata në fjalë ka mbuluar.

60. Punonjësi i administratës publike me kohë pune të plotë nuk ka të drejtë të punojë pas orarit të punës në një biznes që funksionon në sektorin që ajo mbulon.