Një karikaturë shumë interesante e revistës së njohur humoristike britanike “Punch”, e vitit 1956, revokon pikërisht tronditjen që po shkaktonte “Revolucioni Hungarez” në sferën e interesave sovjetike, ku shihet qartë se veç Hungarisë, edhe disa vende të tjera të ish-Demokracive Popullore po tentonin të lëviznin nga ndikimi rus.
Ndërkaq Shqipëria, sikurse perceptohej dhe sikurse ishte në fakt, shfaqej si një arush që i bindej verbërisht urdhërave të trajnuesit (dmth Moskës dhe liderit të saj, N. Hrushovit) në arenën e tij të cirkut (dmth. vendeve satelite). Shumë qartë shihet dhe Jugosllavia, e cila tashmë jo vetëm kishte dalë fare nga vendi që ajo zinte në “familjen e vendeve socialiste”, por shihej edhe si nxitëse e trazirave në Hungari.
Regjimi stalinist shqiptar, por më pas edhe ato të vendeve të tjera ish-socialiste, e cilësuan atë që ndodhi në periudhën 23 tetor – 10 nëntor 1956 në Budapest, si “Kundër-revolucioni hungarez”, duke e cilësuar të tillë në historiografinë zyrtare, deri në rënien e komunizmit në vitin 1991.
Mbrëmjen e djeshme duke u gdhirë data 24, u mbushën plot 63 vjet nga shpërthimi i “Revolucionit Hungarez”, lëvizje e cila njihet si lëvizja më e madhe anti-komuniste në Europën Lindore në gjithë periudhën 1945-1990.
Ndryshe nga ç’ndodhi 12 vjet më vonë me “Pranverën e Pragës”, ku Tirana zyrtare e dënoi fuqimisht sulmin sovjetik, në rastin e Hungarisë, Enver Hoxha ishte përfaqësuesi i vijës më të ashpër ndër ish-liderët lindorë, të cilët kërkuan menjëherë dënimin ekstrem të liderëve të Revolucionit dhe udhëheqësve reformatorë e liberalë hungarezë, të përfaqësuar më së miri në figurën e Imre Nagy-t, i cili pati një fund shumë të hidhur.