Spanja shënon një përmirësim të lehtë në pandeminë koronavirus krahasuar me një ditë më parë. Më 683 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, sipas të dhënave që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa në total bilanci i viktimave është mbi 15 mijë. Ngadalësim shënoi dhe përhapja e Covid-19 në Spanjë. Që prej shpërthimit të pandemisë, në këtë shtet europian janë prekur më shumë se 150 mijë vetë, ndërsa 52 mijë janë shëruar.
Kryeministri i Spanjës: Ne kemi arritur kulmin e pandemisë
Spanja së shpejti do të fillojë procesin e përshkallëzimit të masave aktuale të bllokimit, tha sot kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, pasi ai i kërkoi Parlamentit të aprovojë kërkesën e tij për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme të vendit deri me 26 Prill.
“Ne kemi arritur kulmin dhe tani fillon përshkallëzimi”, tha Sanchez para Parlamentit Spanjoll gati të zbrazët të enjten, pasi shumica e ligjvënësve po punojnë nga shtëpia.
Ai paralajmëroi megjithatë, se rikthimi në jetën normale do të ishte “gradual”, në përputhje me ashpërsinë e krizës aktuale shëndetësore.
“Ngjitja ka qenë e vështirë, ashtu siç do të jetë edhe zbritja.”
“Ne po përballemi me kërcënimin më të madh për shëndetin publik të planetit që nga gripi i vitit 1918”, tha Sanchez, duke sqaruar se rifillimi i aktivitetit normal nuk do të ndodhte vetëm në faza. “Gjëja e fundit që duhet të lejojmë është një hap prapa sepse kjo do të ishte më shumë sesa një pengesë”, por “do të ishte një rikthim”, për virusin.
“BE është në rrezik”
Kreu i qeverisë spanjolle vazhdoi të thotë se “Europa nuk mund të veprojë ndryshe”, kur bëhet fjalë për koronavirusin dhe u bëri thirrje deputetëve të bashkohen për një përgjigje të përbashkët europiane ndaj krizës. “Bashkimi Europian është në rrezik nëse nuk ka solidaritet kundër virusit.”
Kryeministri spanjoll u tha deputetëve të opozitës se qeveria e tij po “punon në një plan” për të sjellë ngadalë vendin në “normalitet”, por paralajmëroi: “Ne as nuk mund ta dimë se në çfarë lloj normaliteti po kthehemi”.