Fatbardh Çuni, 37 vjeç, është shpallur në kërkim nga policia shqiptare. Ai dyshohet se është personi që priste sasinë prej 7.3 kilogramë kokainë, të sekuestruar dy ditë më parë në portin e Durrësit.
Në një njoftim për mediat, policia e Durrësit thotë se “si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e Fatbardh Çunit 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike në Angli.”
Me qëllim kapjen e tij, autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë “ngushtësisht me homologët e Britanisë së Madhe”, thuhet më tej në njoftim.
Kokaina u zbulua të shtunën në një furgon mallrash me targa angleze.
Ajo ishte e ndarë në 7 pako dhe ishte fshehur poshtë sediljes së shoferit Arjan Doçi. Ky i fundit u arrestua së bashku me pronarin e furgonit, Mentor Çuni.
Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se “vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.”