Ish-Presidenti Moisiu, së bashku me disa intelektualë, përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe biznesit, dolën në një deklaratë publike drejtuar përfaqësuesve të partive politike shqiptare në lidhje me krizën politike që ka përfshirë vendin.
Në deklaratën e tij, ish-Presidenti u shpreh se shqetësimi është më i madh se si do të shkojë situata pas 1 korrikut.
Duke iu drejtuar liderëve politikë në vendi, Moisiu e vlerësoi si të patolerueshme nxitjen e urrejtjes mes shqiptarëve, ndërsa kërkoi gjetjen e një zgjidhje afatgjate.
“Hapja e negociatave është prioritet absolut kombëtar për vendin tonë. Në shtyrjen e vendimit ka ndikuar edhe kriza në vend. Koha deri në tetor është shumë e shkurtër për të bindur skeptikët. Kriza po përkeqësohet, ndërsa është afati i fundit për dialog mes aktorëve për të gjetur një zgjidhje afatgjatë, për të mos u kthyer në kriza ciklike. Vlerësojmë të patolerueshme nxitjen e urrejtjes mes shqiptarëve, veprimet e dhunshme ndaj institucioneve, retorika denigruese dhe mungesa e dialogut. Gjithë këto faktorë kanë çuar në cenim të sigurisë dhe qetësisë së qytetarëve”, tha Moisiu.
Ish-kreu i Shtetit akuzoi forcat politike se kanë vendosur interesat personale e partiake mbi interesat e vendit, ndaj theksoi më tej se kjo situatë duhet të marrë fund përmes një Pakti Kombëtar për Integrimin që synon:
1. Mbrojtjen e integritetit të institucionit të zgjedhjeve.
2. Pranimin e faktit se ndryshimet kushtetuese të 2008 prishën ekuilibrat e sollën pasoja negative për vendin.
3. Ndryshimin e procesit zgjedhor, dhe zgjedhjen e Presidentin nga populli
4. Forcimin e kompetencave qe garantojnë kushtetutshmëri duke hequr dorë nga pritshmëria që krizat të zgjidhen me ndërhyrje nga jashtë
5. Në funksion të rritjes së besimit te procesi zgjedhor forcat politike të rikthehen në dialog institucional:
a- Garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme
b- KQZ e organet vartëse të respektojnë kërkesën ligjore, numëruesit të mos jenë përfaqësues apo militantë për të shmangur çdo përplasje.
c- Të hetohen individët e përfshirë në trafikun e votës e të forcohet ligji
d- Rregulla strikte për financimin e partive
e- Të forcohen masat ndëshkimore për standardet etike të sjelljes në Kuvend
6. Kuvendi e shoqëria civile të zgjedhin një Komision të Posaçëm për ndryshime përkatëse kushtetuese e ligjore.
7. Pakt kombëtar ku të përcaktohet niveli kur do të lejohen ndryshime në administratë në rast ndryshimesh të pushtetit.