Inter shkon në përballjen e së shtunës në finalen e UEFA Champions League me Manchester City-n që është në ndjekje të tripletës.
Por ndërsa shumë do të frikësoheshin nga perspektiva e përballjes me kampionët e Premier League dhe FA Cup, të cilët konsiderohen si një nga skuadrat më të mira në futbollin botëror, skuadra e Simone Inzaghit ka arsye për optimizëm. Shtatë arsye, në fakt.
Me një seri mbresëlënëse prej shtatë ndeshjesh të fituara në finalet e tij trajneri italian do të jetë i pajisur mirë për të luftuar me homologun e tij spanjoll të shtunën.
Ai do të shpresojë të vazhdojë atë rekord për të shkaktuar një shqetësim të madh dhe për të shkatërruar shpresat e tripletës së City-t.
Për të gjetur humbjen e parë të Inzaghi-t në një finale si trajner, duhet ta ktheni mendjen te sezoni 2016-17.
Italiani kishte marrë drejtimin e Lazio-s në prill 2016 dhe një vit më vonë kishte arritur t’i udhëhiqte në një finale të Kupës së Italisë. Atje, ata luajtën kundër një skuadre të frikshme si Juventusi që ishte e mbushur me yje si Gonzalo Higuain, Paulo Dybala, Dani Alves apo dhe Claudio Marchisio.
Megjithatë, ishte vetëm çështje muajsh para se Lazio të gjendej në një tjetër finale dhe me një shans për hakmarrje.
Pasi Juventusi kishte fituar si titullin e Serie A ashtu edhe Kupën e Italisë, kjo do të thoshte që Lazio-s iu dha një vend në Superkupën e Italisë për shkak se ata ishin nënkampionët e kupës.
Përballja me skuadrën që kishte dërrmuar ëndrrat e tyre të Kupës së Italisë vetëm disa muaj më parë, ishte mundësia e përsosur për të marrë hak ndaj “Zonjës së Vjetër”.
Skuadra e Inzaghi-t rezultoi fituese 3-2 në atë mbrëmje falë një dopiete nga Immobile dhe një tjetër gol nga Alessandro Murgia.
Fitorja bëri që Lazio të fitonte Superkupën e katërt të Italisë në histori dhe ndihmoi në fillimin e një periudhe të suksesshme për klubin.
Ata fituan Kupën e Italisë dy vjet më vonë, gjatë sezonit 2018-19, pas një fitoreje 2-0 ndaj Atalanta-s përpara se të fitonin Superkupën vetëm disa muaj më vonë.
Duke u përballur edhe një herë me Juventusin, skuadra e Inzaghi-t regjistroi një fitore 3-1 ndaj një skuadre që mburrej me një super yll si si Cristiano Ronaldo.
Sukseset do të bënin që Inzaghi të kërkohej nga Inter, në maj 2021, ku ai ka vazhduar serinë e tij të fitoreve në finale. Inzaghi mori drejtimin e Inter-it pas largimit të Antonio Conte-s, i cili sapo kishte fituar një Scudetto historik për klubin.
Kjo do të thoshte se Inzaghi do të përfshihej në Superkupën e Italisë 2021, të cilin ata e arritën me një fitore 2-1 kundër Juventus-it, falë një goli të Alexis Sanchez në momentet e fundit të kohës shtesë.
Sezoni i parë i Inzaghi-t nuk ishte asgjë më pak se një sukses dhe në vitin e tij të parë ata u përballën me “Zonjën e Vjetër” edhe një herë, në finalen e Kupës së Italisë dhe e fituan atë 4-2 pas kohës shtesë.
Ivan Perisic shënoi një dygolësh, së bashku me golat e Hakan Çalhanoglu dhe Nicolo Barella teksa Inzaghi shtoi një tjetër trofe të madh në palmaresin e tij.
Ishte gati një dopietë historike për klubin, por ata humbën titullin e Serie A nga rivalët e Milanit, të cilët e fituan Serie A me vetëm dy pikë para.
Megjithatë, Inzaghi mori hakmarrjen e tij menjëherë më pas duke i munduar 3-0 në Superkupën e Italisë në janar të këtij viti.
Dhe suksesi më i fundit i Inzaghi-t në finale ishte triumfi 2-1 përballë Fiorentinës në Kupën e Italisë, vetëm pak ditë më parë, falë dopietës së Lautaro Martinez-it.
Pavarësisht dominimit të City-t në Angli, është e sigurt të thuhet se Inzaghi dhe skuadra e tij do të jenë plot besim në ndeshjen e së shtunës.
Inzaghi dhe skuadra e tij Inter nuk janë për t’u nënvlerësuar.