Mbeten të larta infektimet me Covid në vendin tonë. Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 7 persona që kanë humbur jetën në spitalet Covid ku aktualisht po trajtohen 161 pacientë me Covid.
19 prej tyre janë në gjendje më të rënduar.
Ndërkohë janë kryer 4,139 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID, 647 qytetarë.
Vatra më e madhe e infeksionit mbetet Tirana me 256 qytetarë të prekur, më pas Durrësi me 37, Shkodra me 31 raste të reja dhe më pas qytetet e tjera. Aktualisht në vendin tonë janë 9 mijë e 499 pacientë aktivë në të gjithë vendin.
Sipas mjekëve, viktimat janë një qytetare 47 vjeç nga Burreli, dy nga Fieri, një nga Gjirokastra, një nga Vlora, dhe dy nga Tirana.
Janë shëruar 964 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 158,574 që nga fillimi i epidemisë.