Presidenti Ilir Meta e cilësoi një mashtrim të ricikluar nga ‘rilindja’ shkrimin e gazetës austriake “Kronen Zeitung” që e akuzon se ka paguar 700 mijë dollarë për një foto me presidentin amerikan Donald Trump ditën e betimit të tij si president.
I pyetur se ç’koment kishte lidhur me artikullin në fjalë, Meta tha se kjo është një çështje që ka marrë përgjigje shteruese në vitin 2018 nga LSI, duke qenë se në atë kohë Meta ishte kryetar parlamenti dhe kreu i LSI.
Kreu i shtetit deklaron se në ceremoninë e betimit të Trump ka shkuar me ftesë si kryetar i Kuvendit, ndërsa shtoi se çështja do të shkojë në gjyq në Austri dhe se ka një radhë avokatësh të këtij vendi në garë për ta përfaqësuar në këtë proces.
“E kam parë shkrimin pa emër për presidentin e një vendi, nuk ka rëndësi se kush është, i cili nuk është gjë tjetër veç një ripërtypje në publik e shpifjeve të bëra nga “Mother Jones” për të cilën përsa i përket pjesë për LSI keni një deklaratë të saj nga zëdhënësi në vitin 2018. Përgjigjet janë të sakta aq sa dhe “Jones” nuk i botoi. Ja ku e keni më 3 maj një gazetar, zoti Koka më ka bërë pyetje për këtë çështje dhe përgjigja është e qartë që është një mashtrim, pasi kam marrë pjesë si Kryetar i Kuvendit me ftesë të komitetit që organizonte aktivitetin. Këta thonë që kam paguar 700 mijë dollarë për foton me Trump. Vetëm nëse iu duket Vasili si Trump.
Është e verifikueshme, nuk ka ceremoni më të sigurt se ajo e betimit të presidentit të SHBA. Nuk ka gjë që nuk verifikohet, kjo do të bëhet dhe në gjyq në Vjenë. I kam me emër dhe personazhet që kam takuar. Unë e kam kaluar kohën e fotove, nuk do të paguaj asnjë lekë për asnjë foto. Nuk ka gjë më të pavlerë. Kemi njoftuar ambasadën austriake dhe ambasadorin në Vjenë. Po të mos isha president nuk do t’i padisja. Shpifje të tilla dëgjoni çdo ditë. Ata do shkojnë në gjyq dhe ka garë mes avokatëve dhe studiove në Vjenë për të më përfaqësuar në gjyq”, u shpreh Meta.