Kryesore 74-vjetori i themelimit të CIA-s: Një epokë përballjesh dhe suksesi

74-vjetori i themelimit të CIA-s: Një epokë përballjesh dhe suksesi

Dr. Bledar Kurti

74 vite më parë, më 26 korrik, 1947, Kongresi Amerikan miratoi Ligjin e Sigurisë Kombëtare. Ky ligj solli themelimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare si edhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës ose në origjinal CIA, “me qëllimin për të koordinuar aktivitetet e inteligjencës së shumë departamenteve dhe agjencive të qeverisë në interes të sigurisë kombëtare.” Drejtuesit të CIA-s iu shtua titulli Drejtor i CI-së, që vazhdon të njihet edhe sot e kësaj dite me shkurtimin DCI, i cili do kishte autoritet edhe mbi komunitetin e inteligjencës jashtë vendit, kjo e fundit ishte në fillim vetëm një autoritet në parim dhe jo plotësisht në praktikë.

Ishte Ligji i Sigurisë Kombëtare ai që i dha jetë CIA-s, duke e bërë këtë agjenci të jetë një institucion shtesë i qeverisë së ShBA. Kompetencat e saj u përkufizuan si detyrat e një organizate e cila kishte për qëllim të mblidhte informacione. Detyra kryesore e saj ishte të këshillonte Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ajo duhej të vlerësonte informacionet që kishin të bënin me mbrojtjen apo çështjet kombëtare dhe duhej të bashkëpunonte me institucionet e tjera të inteligjencës amerikane. Ajo nuk duhej në asnjë mënyrë të merrte pjesë në formulimin apo bërjen e politikave.

Ligji i Sigurisë Kombëtare bëri që ShBA të zhvillojë një shërbim informativ të madh, modern, dhe mbresëlënës. Kur Lufta e Ftohtë nisi të bëhej gjithnjë e më shumë alarmante, Këshilli i Sigurisë Kombëtare autorizoi CIA-n të përfshihej në operacione të fshehta duke luftuar zjarrin me zjarr, e duke iu kundërpërgjigjur metodave të frikshme të KGB-së sovjetike. Kësisoj, CIA kaloi në një fazë ku nuk mjaftonte më që kjo Agjenci Iteligjence të merrej vetëm me raportimet dhe analizat e ngjarjeve jashtë vendit por asaj i duhej të influenconte mbi këto ngjarje në përputhje me interesat amerikane.

Gjatë Luftës së Ftohtë, operacionet e fshehta ishin një aspekt unik në marrëdhëniet ndërkombëtare amerikane dhe ishin këto operacione që përkufizuan imazhin publik të CIA-s. Kjo Agjenci lindi për qëllime tërësisht të ndryshme: lindi vetëm për të mbledhur dhe koordinuar informacion dhe jo për të kryer operacione të fshehta, por transformimi i saj ndodhi për shkak të intensifikimit të konflikteve gjatë Luftës së Ftohtë, mjeteve dhe metodave të përdorura nga shërbimet e tjera të huaja, si edhe nga impakti që patën drejtuesit e saj ndër vite apo Presidentët Amerikanë, duke e shndërruar në CIA-n një njihet sot.

Nga OSS në CIA

Nevoja për një agjenci inteligjence të fortë dhe kompetente doli dukshëm pas 7 dhjetorit, 1941, datë në të cilën, pavarësisht paralajmërimeve të shumta, Pearl Harbor u sulmua prej aeroplanëve bombardues japonezë. U duk qartë se sistemi i vjetëruar dhe i decentralizuar i inteligjencës, i cili nuk ishte në gjendje të bënte dallimin midis ‘zhurmës së aeroplan-mbajtëseve japoneze’ nga ‘zhurma e dallgëve të oqeanit’, ishte tejet e papërshtatshme.

Presidenti F. D. Roosevelt kishte plotësuar pjesërisht nevojën e koordinimit të inteligjencës duke krijuar OSS-në (Office of Strategic Services) Zyra e Shërbimeve Strategjike, nën drejtimin e Gjeneral Major William J. Donovan. Ajo u formua në tetor të vitit 1941. OSS-ja ishte një organizatë inteligjence aktive shumë e shpërndarë dhe e fuqishme e cila rrodhi prej një agjencie të mëparshme por më të vogël e quajtur Office of Co-ordination of Information (Zyra e Ko-ordinimit të Informacionit). OSS-ja kreu me sukses punën e saj gjatë viteve të luftës dhe hodhi themelet për një agjenci të përshtatshme për në kohë paqe, kjo agjenci që pasoi ishte CIA.

Në fillimet e saja OSS-ja konsiderohej si një agjenci civilësh. William J. Donovan dhe Presidenti amerikan i Luftës së Dytë Botërore, Franklin D. Roosevelt e themeluan atë për të mbledhur informacione, një agjenci amerikane e shpërndarë në tërë botën por nën juridiksionin e Departamentit të Luftës, dhe si një model i të famshmes Federal Bureau of Investigation (FBI), e cila ishte e mjaftueshme për kohën.

Presidenti Roosevelt dhe Gjenerali Donovan u përpoqën ta ruanin statusin civil të OSS-së, por pavarësisht nga përpjekjet e tyre, ndodhi një proces gradual dhe i pashmangshëm militarizimi.

Pati shumë pjestarë të OSS-së të cilët e kundërshtuan kategorikisht militarizimin, por kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallën luftë forcave qendrore (Gjermani, Itali, dhe më vonë Japoni) dhe kur Gjenerali Donovan u paraqit me uniformë ushtarake, pranimi i militarizimit të OSS u nënkuptua dhe u pranua unanimisht.

Lufta mund të mbështetej prej civilëve por ajo nuk luftohej prej tyre, ajo luftohej prej njerëzve me uniformë, ndaj një gjë ishte e sigurtë, që në fillimet e saj OSS-ja nuk ishte një organizatë policie që ruante rendin pa luftuar. Detyrat e saj ishin të mbështeste konfliktet e armatosura, operacionet e fshehta, klandestine dhe luftrat sekrete, pra ishte një organizatë lufte.

Kur lufta mbaroi dhe forcat e armatosura u kthyen në detyrat e tyre të para-luftës, OSS-ja, pa e patur një precedent të tillë, nuk u kthye në rolin e saj parësor. Ajo nuk kishte patur një strukturë bazë që t’i rikthehej. Ajo kishte lindur prej luftës. Për aq kohë sa Presidenti Roosevelt jetonte (ai vdiq vetëm një muaj dhe katër dite përpara kapitullimit të Gjermanisë në Evropë) agjencia e Gjeneralit Donovan ishte e sigurtë nga kontrolli që mund t’i bënin shërbimet ushtarake. Megjithatë, OSS-ja nuk gëzoi të njëjtën marrëdhënie me pasardhësin e Roosevelt-it në Shtëpinë e Bardhë, presidentin Harry S. Truman, i cili mendonte se OSS-ja nuk nevojitej më. Gjithashtu, ai dukej se bashkohej me mendimin e shefave të shërbimeve ushtarake se spiunazhi duhej të ishte pjesë e ushtrisë, ndërsa për gjëra të tjera FBI-ja mjaftonte.

Gjenerali Donovan argumentoi për vazhdueshmërinë e ekzistencës së OSS-së kundër mendimit ndryshe që kishin shefat e forcave ushtarake, detare dhe ajrore të ShBA-së, si edhe komisione të Kongresit, e të tjera. Ai e konsideronte të pakonceptueshëm rikthimin e inteligjencës amerikane në statusin e saj të para-luftës. Ai, herë-pas-here ngulmoi në besimin e tij se nevojitej një agjenci e pavarur, me një status civil, dhe e ndarë nga kontrolli i ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore, që të funksiononte në kohë paqeje si një organizatë inteligjence me detyrën e mbledhjes së informacionit dhe inteligjencës. Gjenerali Donovan u mundua të bindte Truman edhe për rëndësinë e lidhjes me Shërbimet Sekrete të Inteligjencës Britanike dhe se ajo duhej ruajtur dhe jo humbur.

Truman tashmë e kishte vendosur në mendjen e tij se nuk nevojitej një agjenci inteligjence e huaj në periudhën e pas luftës. Ai nënshkroi Urdhërin Ekzekutiv 9621, i cili e lëndoi OSS-në. Në fund Donovan-i dha dorëheqjen dhe OSS-ja u mor nën zotërimin e Departamentit të Luftës. Shuarja e saj e plotë ishte e shpejtë. Emri ndryshoi në “Njësia e Zyrës së Shërbimeve Strategjike – Departamenti i Luftës” por më pas ndryshoi përsëri në “Grupi i Inteligjencës Qendrore – Departamenti i Luftës”. Më 22 janar, 1946, Presidenti Truman themeloi “Autoriteti i Inteligjencës Kombëtare”, i cili përbëhej prej Sekretarit të Shtetit, të Luftës dhe Marinës, dhe kishte si detyrë të planifikonte, zhvillonte dhe koordinonte të gjitha aktivitetet e inteligjencës.

Në vitin 1947, Lufta e Ftohtë ishte në fillimet e saj. Në 12 mars, 1947, Truman u paraqit përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit dhe kërkoi 400 milionë dollarë për të ndihmuar dhe shpëtuar Greqinë dhe Turqinë prej rrezikut Komunist. Për dyzetë vitet në vazhdim “Frenimi” (Containment) i Bashkimit Sovietik u bë baza e politikës së jashtme amerikane. Rritja e tensionit të Luftës së Ftohtë bëri që të ngrihej propozimi për themelimin e një agjencie qendrore të inteligjencës.

Kështu që më 26 shkurt, 1947, në Kongresin amerikan u dërgua për miratim një ligj, i cili me pak amandamente, u aprovua dhe doli për zbatim në 26 korrik dhe njihet si Ligji i Sigurisë Kombëtare, ligj që themeloi Këshillin e Sigurisë Kombëtare si edhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës, CIA-n, “me qëllimin për të ko-ordinuar aktivitetet e inteligjencës së shumë departamenteve dhe agjencive të qeverisë në interes të sigurisë kombëtare

Neni 102 vendosi përgjegjësinë e plotë të veprimeve të CIA-s nën urdhërat e Këshillit të Sigurisë Kombëtare (KSK), por, me që kreu i Shtëpisë së Bardhë ishte mbi pjesëtarët e Këshillit, ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara ai që kishte carte blanche.

Përfshirjet dhe operacionet e CIA-s urdhëroheshin nga KSK. Ato sanksionoheshin nga Sekretari i Shtetit, Drejtori i Zyrës së Mobilizimit Mbrojtës dhe Civil, Sekretari i Mbrojtjes, Zëvendës Presidenti i Shteteve të Bashkuara, pjesëtarë të rëndësishëm të Kongresit, të cilët, në këtë aspekt, ishin nën urdhrat e Presidentit.

Pjesa më e rëndësishme e Ligjit të Sigurisë Kombëtare në lidhje me CIA-n ishte Titulli I, “Koordinim për Sigurinë Kombëtare – Agjencia Qendrore e Inteligjencës.” Ndoshta detyra më e rëndësishme e CIA-s, dhe drejtorit të saj (DCI), ishte koordinimi i të gjitha përpjekjeve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.

Si fillim, ligji siguronte caktimin e drejtorit të Inteligjencës Qendrore nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara me këshillimin dhe aprovimin e Senatit, dhe specifikonte se të emëruarit mund të ishin oficerë aktualë apo të dalë në pension nga shërbimet e armatosura ose njerëz të jetës civile. Në vitin 1953, kjo pjesë e ligjit u ndryshua nga Kongresi për të caktuar një zëvendës drejtor dhe deklaroi se të dyja pozicionet asnjëherë nuk duhet t’i përkasin një personeli ushtarak.

Neni 102 (d) shtjelloi arsyen për krijimin e CIA-s. Kjo pjesë nuk ishte e shkruar qartë dhe lejonte shumë interpretime; “Për qëllimin e koordinimit të aktiviteteve të inteligjencës ndërmjet shumë departamenteve qeveritare dhe agjencive, në interes të sigurisë kombëtare, do jetë detyra e Agjencisë, nën drejtimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare …” Arsyeja që kjo pjesë e ligjit shkaktoi konfesion qëndron tek katër fjalët e para. “Për qëllimin e koordinimit …” Shumë prej atyre që besonin që CIA kishte më shumë pushtet sesa duhet, apo që bëri gjëra që s’duhet të kishte bërë, u shprehën se këto fjalë tregonin qëllimin e Kongresit se CIA vetëm duhet të kishte koordinuar aktivitetet e agjencive të tjera dhe jo të mblidhte informacione apo të vepronte vetë.

Një prej detyrave të para të Agjencisë ishte të këshillonte KSK-në për aktivitete inteligjence të qeverisë të cilat kishin të bënin me sigurinë kombëtare. Kjo do të thoshte se CIA raportonte tek KSK mbi informacione dhe operacione, dhe se ishte zëri i inteligjencës në veshët e atyre që bënin politikën. Drejtori i CIA-s Allen Dulles (1953 – 1961) shkroi se Ligji i vitit 1947 ishte “një krah i bërë publik i degës ekzekutive të qeverisë, pavarësisht, dhe sigurisht, që kishte detyra të tjera me natyrë sekrete.” Për më tepër, Dulles argumentoi se plani strukturues dhe skema e gjerë e CIA-s ishte “unike”. Ajo u themelua “për të mbushur boshllëqet në strukturën e inteligjencës ekzistuese pa zëvendësuar apo konkuruar njësitë e inteligjencës amerikane në Departamentin e Shtetit apo Mbrojtjes.” Sipas Dulles, një funksion tjetër i strukturës së CIA, e cila nuk erdhi menjëherë por që ishte si rezultat i “përshtatjes graduale me eksperiencën që tregoi të ishte praktike dhe efiçente,” ishte përfshirja e të gjitha aktiviteteve klandestine dhe operacioneve të fshehta.

Në Nenin 102 të Ligjit, gjithashtu ishte e shkruar se CIA do autorizohej herë-pas-here prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare për “të kryer funksione dhe detyra të tjera në lidhje me inteligjencën dhe sigurinë kombëtare.” Neni 102 ishte pjesa më thelbësore e Ligjit, kjo pjesë ishte përgjegjëse për aq shumë aktivitete të cilat më vonë do krijonin një skepticizëm të hidhur si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe jashtë saj. Gjithashtu ka të bëjë edhe me mënyrën sesi u formulua, një miratim i heshtur që përcakton “të papërcaktueshmet”.

Kongresi Amerikan e kishte pranuar CIA-n si një agjenci koordinuese, prodhuese, dhe operative. Gjithashtu, ishte në dijeni se po autorizonte spiunazh dhe kundër-spiunazh ndaj shteteve të huaja, dhe padyshim i siguroi asaj liri të konsiderueshme veprimi me anë të klauzolës “për të kryer funksione dhe detyra të tjera” sipas autorizimit të KSK.

Në atë kohë, Kongresi e njihte karakterin e shumicës politke të Kongresit, ndaj duke iu frikësuar krijimit të një Gestapo-je, i privoi agjencisë forca policore apo mbrojtjeje të brendshme. Kongresi Amerikan, në një atmosferë tensionuese të Luftës së Ftohtë, e lejoi veten të bindej prej profesionistëve të inteligjencës. Me pasazhin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare, i lejoi agjencisë së re përjashtime të veçanta nga procesi rishikues i zakonshëm i Kongresit, dhe këto përjashtime u shtuan edhe më shumë dy vjet më vonë me Ligjin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës të vitit 1949.

Megjithatë, disa senatorë u shprehën se historia legjislative e Ligjit të vitit 1947 nuk indikon se Kongresi parashikoi që CIA do përfshihej në luftra politike të fshehta përtej kufijve. Ndërsa të tjerë u shprehën se gjuha e Ligjit të vitit 1947 nuk autorizonte drejtpërdrejtë aplikimin e operacioneve të fshehta, dhe me sa duket Kongresi nuk kishte për qëllim t’i autorizonte agjencisë një autoritet të tillë.

Sipas raportit përfundimtar të Komitetit të Zgjedhur për të Studiuar Operacionet Qeveritare, të ngritur prej Kongresit në vitin 1976, e njohur ndryshe edhe si Komiteti Church, Ligji i vitit 1947 nuk fuqizonte në mënyrë direkte CIA-n për të mbledhur inteligjencë apo për të ndërhyrë në mënyrë të fshehtë në punët e brendshme të shteteve të tjera. Por shprehja elastike “funksione të tjera” u përdor prej Presidentëve të ardhshëm Amerikanë për ta shtyrë CIA-n të përfshihej në spiunazh, operacione të fshehta, operacione para-ushtarake, dhe mbledhje inteligjence teknike. Shpeshherë argumentohet se Ligji i Sigurisë Kombëtare i dha fuqi të rëndësishme dhe fleksibilitet CIA-s dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por në fakt ai ligj ia dorëzoi atë autoritet Presidentit.

Transformimi i CIA-s nga një agjenci për mbledhjen e inteligjencës në një institucion i përfshirë në aksione të fshehta nuk ishte i menjëhershëm por gradual. Pavarësisht ambiguitetit të “funksioneve” të shkruar në Ligjin e vitit 1947, arsyeja kryesore e transformimit ishte Lufta e Ftohtë dhe rrethanat e saj të pazakonta, të cilat bënë që Ekzekutivi dhe Legjislativi të inkurajonin CIA-n për aksione të fshehta.

Termi “aksion i fshehtë” mund të përkufizohet si ndërhyrja e një shteti në punët e brendshme të një shteti tjetër me qëllimin e zgjerimit të kontrollit politik dhe ekonomik, duke përdorur mënyra të padukshme dhe të papranueshme. Presidenti Truman nuk kishte për qëllim që CIA të bënte më shumë sesa të mblidhte informacionet e disponueshme dhe t’ia paraqiste Presidentit. Ai e përmendi qartë në kujtimet e tij qëllimin e vërtetë të krijimit të CIA-s; “Një nga agjencitë e tjera të çmuara të krijuara prej ligjit ishte Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) nën urdhrat e Këshillit të Sigurisë, për të koordinuar dhe vlerësuar aktivitetet e inteligjencës dhe të dhëna …”

Truman nuk e miratoi CIA-n që ajo të operonte si një agjenci ndërkombëtare e përfshirë në operacione të fshehta, megjithatë ishte vetë ai që i dha fytyrë të re komunitetit të inteligjencës moderne të Shteteve të Bashkuara dhe që autorizoi Agjencinë të përfshihej në aksione të fshehta.

Italia dhe Lufta e Koresë

Aksioni i parë i fshehtë i autorizuar nga Truman erdhi si rezultat i frikës së fitores së komunistëve në zgjedhjet e prillit të vitit 1948 në Itali. Dokumenti i parë i numerizuar i lëshuar prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare, KSK 1/1, më 14 nëntor 1947 paralajmëroi se “Qeveria Italiane, e anuar ideologjikisht drejt demokracisë perëndimore, është e dobët dhe është bërë subjekt i sulmeve të vazhdueshme nga e forta Partia Komuniste.” Përveç mbështetjes publike për qeverinë Italiane në rrezik, KSK rekomandoi një program “për të luftuar aktivisht propagandën komuniste në Itali me një program efikas të informacionit të SHBA-së dhe me të gjitha mënyrat e tjera të aplikueshme, duke përfishrë edhe përdorimin e fondeve të padeklaruara.” Truman aprovoi KSK 1/1 në 24 nëntor. Më 14 dhjetor, Presidenti firmosi KSK 4/A duke i ngarkuar CIA-s përgjegjësinë për “luftë psikologjike”. Një javë më pas, Agjencia ngriti Grupin e Procedurave Speciale (GPS), e cila pastroi mbi 10 milionë dollarë të kapura prej nazistëve dhe fashistëve për t’i përdorur për fushatën elektorale në Itali.

Disa prej milionave të pastruara nga GPS-ja iu dhanë në dorë në fshehtësi kryeministrit italian Alcide de Gasperi, për të financuar fushatën e partisë së tij Kristian Demokrate. Milionat e tjera shkuan tek fushata mediatike për të shpërndarë propagandë kundër komunistëve dhe për të promovuar virtytet e kandidatëve anti-komunistë. Truman tregoi një interesim personal si në përpjekjet e hapura ashtu edhë në ato të fshehta për të mbështetur Kristian Demokratët dhe për të mposhtur komunistët. Pavarësisht nga një përfshirje e njëjtë nga ana e Sovietikëve në zgjedhje, Kristian Demokratët fituan 307 prej 574 vendeve në Parlament. Mposhtja e komunistëve në zgjedhje shihet historikisht prej CIA-s jo vetëm si fitorja e saj e parë por edhe si një nga operacionet e fshehta më të suksesshme.

Suksesi i dukshëm i aksioneve të fshehta kundër komunistëve në Itali bëri që kjo formë operimi të zgjerohej. Në maj të vitit 1948, George F. Kennan, kreu i grupit të planifikimit në Departamentin e Shtetit dhe apostulli kryesor i doktrinës së “Frenimit” të zgjerimit sovjetik, propozoi krijimin e një grupi të përhershëm për aksionet e fshehta të aftë për të bërë një punë shumë më të madhe sesa vetëm luftë psikologjike. Një muaj më vonë, Truman firmosi KSK 10/2, dhe urdhëroi krijimin e Zyrës së Koordinimit të Politikave (ZKP), e cila ishte brenda strukturave të CIA-s dhe kishte për detyrë të planifikonte dhe të merrte pjesë në aksione të fshehta. Megjithatë, më vonë, duhet përmendur se George F. Kennan u bë skeptik ndaj operacioneve të tilla dhe ndaj rolit të inteligjencës në marrëdhëniet Amerikano–Sovietike. Ai shkruajti se “Unë vetë kam patur mundësinë të shoh rast pas rasti në të cilat autoritetet e inteligjencës amerikane kanë mbledhur, apo përpjekur të mbledhin, operacione të cilat kanë përfunduar, apo do përfundonin, në një abuzim direkt jo vetëm të marrëdhënieve formale diplomatike Amerikano-Sovjetike por edhe ndaj mundësive për arritjen e një mirëkuptimi midis dy qeverive.”

Si reagim i premisës së Bashkimit Sovietik dhe vendeve satellite të saj, të cilat kishin nisur një program “vicioz” aksionesh të fshehta “për të zhvlerësuar dhe mposhtur qëllimet dhe aktivitetet e Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore,” KSK i hapi dritën jeshile operacioneve të fshehta: “propagandë, luftë ekonomike, aksione direkte parandaluese që përfshinin sabotazh, anti-sabotazh, masa shkatërruese dhe evakuimi, rrëzimin e shteteve armike, duke i dhënë ndihmë lëvizjeve të fshehta të rezistencës, guerilave dhe grupeve çlirimtare emigrantësh.” Arritja e misioneve të tilla pati një ndikim të thellë në drejtimin e Agjencisë dhe statutin e saj relativ brenda qeverisë.

Operacionet e fshehta nuk nisën brenda CIA-s, por prej zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara, midis të cilëve Sekretari i Luftës, Sekretari i Mbrojtjes, Sekretari i Shtetit, dhe George F. Kennan, Drejtori i Grupit të Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit.

KSK 10/2 adaptoi formalisht principin e “mohimit të mundshëm”. Në ndryshim me raportin që paraqitej në tryezën e Truman, operacionet e fshehta nuk duhej të arrinin në Zyrën Ovale të Presidentit. Truman urdhëroi që operacionet e fshehta duhet të ishin “të planifikuara dhe ekzekutuara në atë mënyrë që përgjegjësia e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të mos ishte e dukshme për njerëzit e paautorizuar, dhe nëse zbuloheshin, Qeveria Amerikane mund të mohonte përfshirjen e saj.”

Megjithatë, mohimi i mundshëm nuk mbronte presidentët, ajo vetëm kishte dobësuar një hallkë në zinxhirin e autoritetit. Në shumicën e rasteve një nga mënyrat për të mbrojtur Presidentin nga turpi politik ishte të mos ta informoje aspak atë për operacione të fshehta të veçanta, të paktën jo formalisht. Koncepti i “mohimit të mundshëm” aplikohej fjalë-për-fjalë: “Qeveria ishte e autorizuar të bënte disa gjëra për të cilat Presidenti nuk ishte i informuar.”

Harry S. Truman ishte presidenti i parë që themeloi një agjenci operacionesh të fshehta në një kohë paqeje. Në gusht të vitit 1948, ai aprovoi KSK 20, që autorizonte operacione guerilash përtej Perdes së Hekurt duke përdorur emigrantë sovjetikë të rekrutuar në perëndim. Parathënia e KSK 20, e shkruar nga Kennan, deklaronte me ndjenjë optimiste që “ndonëse nuk është qëllimi ynë për ta hedhur poshtë Qeverinë Sovjetike në kohë paqeje,” aksionet e fshehta mund të krijojnë “rrethana dhe situata” të cilat do e bënin të vështirë që “udhëheqësit aktual Sovjetik … të mbajnë pushtetin e tyre në Rusi.”

Në 31 Janar 1950, Truman urdhëroi Sekretarin e tij të Shtetit dhe Mbrojtjes të kryenin një rishqyrtim të gjerë të objektivave gjatë periudhës së luftës dhe paqes. Rezultati i këtij rishqyrtimi rezultoi në KSK 68 në datën 7 Prill. KSK 68 e interpretoi Luftën e Ftohtë si një përleshje elementare midis forcave të dritës perëndimore dhe errësirës lindore, midis lirisë dhe skllavërisë. KSK 68 rinisi doktrinën e “Frenimit” të zgjerimit sovjetik dhe parashikoi një rol madhor të aksioneve të fshehta brenda bllokut sovjetik. Ndonëse nuk e përcaktoi në detaje këtë rol, ky dokument bënte thirrje për “intensifikimin e… operacioneve të fshehta në fushën e luftës ekonomike, politike, dhe psikologjike.”

Krizat botërore, të rrezikshme sa ato të Luftës së Parë dhe Dytë Botërore, i bënë interesat amerikane tejet vitale, mënyrat u bënë të përballueshme, ndërsa metodat të justifikueshme. Rrënjët e operacioneve të fshehta u thelluan për shkak të obsesionit për Luftën e Ftohtë. Kjo luftë ishte si një lojë globale shahu, ku gurët luheshin herë nga njëri lojtar e herë nga tjetri. Kjo gjë bëri që CIA të zhytej në një seri aktivitetesh të fshehta, të projektuara për t’iu kundërvënë përpjekjeve konkurruese të KGB-së.

Gjatë vitit 1949, operacionet e fshehta brenda bllokut sovjetik kishin filluar në Poloni, Ukrainë, dhe Shqipëri.

Lufta e Koresë

Një ngjarje e rëndësishme për transformimin e CIA-s ishte Lufta e Koresë, 1950-1953. Kur nisi lufta, CIA u vu menjëherë nën presionin e Administratës së Trumanit e cila e akuzoi se ajo kishte dështuar për të siguruar informacione apo paralajmërime se Korea e Veriut, e mbështetur nga sovjetikët, do konsideronte një luftë të hapur. Informacioni i CIA-s, i mbledhur nga rrjeti i saj i inteligjencës aziatike, i ishte transmetuar Komandantit të Përgjithshëm të SHBA-së Gjeneralit Douglas MacArthur dhe të tjerëve, si edhe Presidentit Truman, të cilët i kishte informuar për mundësinë e mbledhjes së trupave të Kinës Komuniste përgjatë kufirit midis Mançurisë dhe Koresë. Ky informacion u ishte bërë i qartë muaj përpara se Kina e Kuqe të sulmonte.

Me fillimin e luftës ndodhën ndryshime të menjëhershme. Ai më i rëndësishmi ishte caktimi në detyrë i drejtorit të ri të CIA-s, Gjeneralit Walter Beddell Smith, i cili zëvendësoi Admiral Hillenkoetter. Bedell Smith themeloi tre zyra të rëndësishme – ajo e Planeve, Inteligjencës, dhe Administrimit. Ai e drejtoi CIA-n në një periudhë thelbësore të historisë së saj. Lufta e Koresë ishte shpërthimi i fundit i cili i detyroi Shtetet e Bashkuara të rinovonin sektorin e mbrojtjes dhe të ndërtonin një sistem modern të shërbimit të inteligjencës.

Lufta e Koresë, e cila kishte gjeneruar kriticizmin dhe riorganizimin e CIA-s, e ndihmoi Agjencinë. Gjatë kësaj lufte, personeli dhe buxheti i saj u ngrit në mënyrë spektakolare. Personeli i OPC-së u rrit nga 302 në 2,812 (plus 3,142 agjentë në vende të huaja), duke ushtruar aktivitetin e saj në 47 qendra në vende të huaja në vitin 1952. Në të njëjtën periudhë, buxheti i saj arriti majën nga $4.7 milionë në $82 milionë. Kur betejat në Kore u stabilizuan në mesin e vitit 1951, OPC shtoi operacionet e saj në luftë guerilase. Gjatë periudhës prill deri në dhjetor të vitit 1951 ajo stërviti dhe vuri në veprim 44 grupe guerilash koreane përtej territorit armik me qëllim sabotimin e rrjetit të komunikimit të komunistëve dhe ndalimin e furnizimeve nga Kina.

CIA rekrutoi spiunë, sabotatorë, etj, dhe në disa raste madje bleu edhe politikanë, arsimtarë, defektorë koreano-verior, dhe njerëz me pozicione të larta, të cilët të gjithë ndihmonin përpjekjet e luftës së ShBA –së dhe Kombeve të Bashkuara për të luftuar Korenë e Veriut. Me mbarimin e Luftës së Koresë, vlera e CIA-s si një agjenci tejet kompetente u themelua tërësisht.

Lufta e Koresë nuk pati një impakt vetëm në fushën e inteligjencës por solli edhe një perceptim të ri mbi Luftën e Ftohtë. Ajo i hapi rrugën operacioneve të tjera të fshehta në zona më të mëdha gjeografike.

CIA u themelua si rezultat i nevojës për një agjenci inteligjence për të koordinuar dhe mbledhur informacione. Ligji i Sigurisë Kombëtare ishte i dyshimtë në vendosjen e natyrës së vërtetë të kësaj agjencie e cila ishte direkt nën urdhërat e Presidentit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ndoshta Truman nuk kishte dashur që CIA të përfshihej në operacione të fshehta, por faktet tregojnë se ai ishte përgjegjës për transformimin e saj duke firmosur Direktivën NSC 4/A e cila e inkurajonte agjencinë të kryente luftë psikologjike. Më vonë ai firmosi NSC 10/2 dhe NSC 20/2 të cilat themeluan OCP-në, me detyrën për të planifikuar dhe u përfshirë në operacione të fshehta dhe guerilase përtej Perdes së Hekurt. NSC 68, e hartuar dhe e firmosur nga zyrtarët më të lartë, përfshirë edhe Presidentin, kërkonte intensifikimin e operacioneve të fshehta.

Transformimi i CIA-s nga një agjenci informative në një agjenci operacionesh të fshehta ishte e paevitueshme dhe u nxit nga politikë-bërësit dhe jo nga brenda saj.

Ky ishte vetëm fillimi i themelimit dhe angazhimit të CIA-s në përballjen e Luftës së Ftohtë, ku ajo arriti suksese në mbrojtje të interesave amerikane dhe botës perëndimore.

Pas rënies së komunizmit CIA u përball me një realitet të ri dhe sfida të reja siç ishte terrorizmi, e sot, pas 74 vitesh që nga krijimi i saj, ajo përballet me terrorizmin kibernetik, rrjete ekstremiste, shtete terroriste dhe fuqi të reja të cilat rrezikojnë sigurinë, jo vetëm të SHBA, por vendeve të NATO-s dhe hemisferës perëndimore.