Aktualitet 8 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri

8 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri

Në përditësimin e të dhënave të fundit për situatën me Covid-19, Eugena Tomini nga ISHP ka bërë me dije se nga 140 teste të kryera në 24 orët e fundit, 8 persona kanë rezultuar pozitivë, duke e çuar numrin total në 803 të infektuar.

Tomini tha se 5 nga këto raste janë zbuluar në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Durrës. Ndërkaq ajo tha se 68% e të infektuarve tashmë janë të shëruar.

Aktualisht në spital ndodhen 34 pacientë, 7 prej tyre në terapi intensive.

“Situata epidemiologjike në vend aktualisht paraqitet e qëndrueshme dhe me një nivel të ulet të pozitivitetit krahasuar me numrin total te testimeve. Gjatë javës së epidemisë, përqindja e pozitivitetit arriti në 4.3 %, vlera më e ulët nga fillimi i epidemisë, që tregon funkionimin e masave të marra, identifikimin dhe gjurmimin epidemiologjik të rasteve të dyshuara dhe kontakteve të tyre në kohë“, tha Tomini.

Ditën e sotme ka nisur një lehtësim i mëtejshëm i masave shtrënguese, me shtimin e zonave të gjelbërta, lejimin e shërbimit taksi ndërqytetas me dy pasagjerë të së njëjtës familje si dhe lehtësimi për të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe, të cilët do të vetëkarantinohen në banesë.

“Duke nisur nga ky lehtësim i masave është shumë e rëndësishme të rritet kujdesi vetjak, të respektohen rregullat e reja, ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë. Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus. Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40″.