Kosova vijon të raportojë shifra në rënie të të infektuarve me koronavirus.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1501 testime nga të cilat kanë rezultuar pozitive vetëm 345 raste.
Gjithsesi në spitale janë shënuar 8 viktima, gjysmat e të cilave I takojnë Mitrovicës dhe Prizrenit.
Në Kosovë numërohen mbi 11 200 raste aktive. Nga nisja e pandemisë janë humbur jetën 1248 persona.
“Kosova mund të mbyllet për festa”
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se vendi mund të mbyllet gjatë festave të fundvitit në një përpjekje për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Në një postim në mediat sociale, Hoti thekson se në të gjithë vendet po merren masa shtesë dhe Kosova nuk do qëndrojë pas në këtë aspekt.
“Tani, në prag të festave, jemi para një rreziku të përhapjes së infeksionit për shkak të lëvizjeve të mëdha të qytetarëve që ndodhin në kohë festash. Të gjithë po e shohim trendin në rritje në BE dhe rajon, ku disa vende janë mbyllur plotësisht. Kjo nënkupton se për disa javë edhe tek ne rastet do të rriten”, shkruan Kryeministri.
Ai ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe institucionet që të zbatohen masat dhe të mos rrezikohet një përhapje masive e COVID-19.
“Kam kërkuar që sot menjëherë të ndërmerren masat në vijim: Të gjitha institucionet publike të ndalojnë çfarëdo organizimi për fundvit që i bëjnë zakonisht për punonjësit e institucioneve. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të përgatisin urdhëresën për këtë qëllim”, thekson ai.
Në fund kërkon që të gjithë te festojnë me familjet e tyre dhe të shmangen grumbullimet sepse kështu rrezikojmë jo veten por dhe të tjerët.