Policia greke ka shkatërruar një organizate kriminale në një operacion të zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit në zonën e Korinthit.
Sipas burimeve të Top Channel, grabitësit survejoheshin prej disa ditësh prej agjentëve të policisë, ndërsa operacioni për shkatërrimin e organizatës, e cila konsiderohet si një ndër më të rrezikshmet e kapura ndonjëherë në vend, nisi në zonën e Kalamatës dhe u konkretizua në zonën e Korinthit, ku anëtarët e bandës u përplasën me armë me policët e anti-krimit grek.
Prej përballjes se armatosur, mbetën të plagosur dy shtetas shqiptarë, ndërsa i treti u arrestua mbas disa minuta ndjekje në kodrat e zonës Akro Korinthit.
Gjatë operacionit u arrestuan:
Eljon Deraj
Andrea Caushaj
Amarildo Caushaj
Në kërkim janë:
Arsen Bajrami dhe Ernest Mustaj.
Në automjetin e tyre u gjetën armë kallashnikov dhe pistoletë, si dhe mjete që përdoreshin për tu maskuar, kapuçë dhe paruke. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe thika, leva, gërshërë për të prerë metale etj.
Ndërkohë sot në zonën e Prevezës u arrestuan edhe një çift tjetër nga Shqipëria të cilët dyshohet se merrnin makina me qira të cilat më pas përdoreshin në grabitjen e grupit shqiptarë.
Policia greke thotë se banda kishte kryer disa grabitje bankash dhe dhjetra vjedhje me thyerje te dyqaneve dhe magazinave ne zonën e Peloponezit dhe Epirit.
Metodat e përdorura prej tyre konsiderohen si tepër të ashpra. Ata kërcënonin dhe trembnin viktimat e tyre, dhe janë përgjegjës për disa grabitje te dhunshme me pasoje plagosjen e viktimave.
Policia greke vazhdon operacionin për gjetjen e dy të arratisurve,madje ka vënë ne dispozicion edhe helikopterë me kamera termike.
Fotot e tyre u janë shpërndarë të gjitha pikave kufitare me Shqipërinë, ndërsa police me veshje civile patrullojnë në zonën e Korinthit për të bërë të mundur arrestimin e tyre./TCH