Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili ishte një ndër protagonistët kryesorë në hartimin e reformës në drejtësi, ka akuzuar sot prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar se po hakmerren ndaj kësaj reforme.
“Disa prokurorë dhe gjyqtarë, të bindur se vetingu tashmë është një realitet dhe filtrat e vendosura i nxjerrin ata jashtë sistemit si të korruptuar, janë duke bërë atë që kanë bërë përherë me vendimmarrjet e tyre, por tashmë pa asnjë limit. Disa vendime janë me pasoja të rënda për rendin dhe sigurinë publike. Në rrethana të tilla çdo ndërhyrje për ta parandaluar e ndëshkuar këtë gjë është pozitive”, nënvizoi deputeti Xhafaj.
Ai tha se vendimmarrje të tilla korruptive kemi pasur në vite dhe kjo ishte një ndër arsyet thelbësore përse reforma në drejtësi ishte kaq e thellë, në zgjidhje institucionale, strukturore, por edhe në burime njerëzore përmes procesit të vetingut.
“Koha na dha të drejtë. Rezultatet e vetingut për një pjesë të mirë të atyre që janë larguar provojnë qartazi korrupsionin e jashtëzakonshëm brenda sistemit. Janë pikërisht individ të tillë që aktualisht kanë krijuar një situatë të tillë vendimmarrjesh jo thjesht korruptive, por edhe haptas në kundërshtim me ligjin. Besoj se qëllimi i një pjese prej tyre është edhe hakmarrje me reformën për të cenuar sadopak imazhin e saj të qytetarët, shpresën e tyre te drejtësia e re. Kjo edhe sepse qytetarët e thjeshtë jo gjithmonë arrijnë ta ndajnë veprimin e një gjyqtari të caktuar, pjesë e sistemit të vjetër, në raport me pritshmërinë që ata kanë pasur dhe kanë për reformën e re në drejtësi”, u shpreh Xhafaj në fjalimin e tij të fortë në seancë plenare.
Duke vlerësuar KLGJ dhe KLP, që sipas tij janë bërë një punë të lavdërueshme, ish-ministri i brendshëm mendon se këto dy institucione ende nuk kanë gjetur “rolin dhe përgjegjësinë e tyre”, dhe se në disa aspekte janë “jo eficente”, dhe se disa nga komponentët e tyre “nuk kanë një kuptim të drejtë mbi rolin e tyre në këto struktura, frymën e re që do duhej të përçonin”.
Xhafaj kujton në fund se rreth 130 prokurorë dhe gjyqtare janë larguar, edhe me akuza të rënda. Por vendimi i largimit për të nuk mjafton.
“Një nga çështjet që duhet trajtuar shumë seriozisht është pikërisht fakti që këta persona do duhet të hetohen për pasuritë e tyre dhe për vendimmarrjet korruptive”, deklaroi ai.