I asistuar nga një përkthyes, shqiptari Edison Bala doli para një gjykate në Rutherglen të Australisë, e cila e shpalli atë fajtor për sulm seksual. Në Maj të 2018-s, ai sulmoi seksualisht një 23-vjeçare, në një klub nate të mbushur me njerëz, në Kilbride.
29-vjeçari, sipas asaj që shkruajnë mediat vendase e la të renë të gjakosur, pasi i hoqi me forcë të brendshmet. Dënimi për Balën pritet të jepet javën e ardhshme.
Ndërsa për mediat australiane, 23-vjeçarja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, ka rrëfyer pasojat e rënda që i la kjo ngjarje.
Ajo pranon se nëqoftëse nuk do të ishte për mbështetjen e prindërve të saja, nuk do t’ia kishte dalë të vazhdonte më tej jetën.
Pasojat për 23-vjeçaren ka qenë të mëdha pasi përveç dëmtimeve fizike, ajo përjetoi edhe dëmtime psikologjike që u shoqëruan me depresion dhe ankth.
Ajo ka treguar se jeta e saj u shkatërrua dhe si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike goditi veten me thikë në stomak.
23-vjeçarja është shprehur gjatë rrëfimit se jeta e saj pas ngjarjes ka qenë një ferr i vërtetë.
“Jeta ime është shkatërruar plotësisht. Unë kam luftuar me mendimet e vetëvrasjes, kam dëmtuar veten dhe jam diagnostikuar me depresion dhe ankth. Këto dy vjet kanë qenë një ferr i vërtetë. Ndalova së jetuari, nuk po kujdesesha më për veten time. E urreja veten time, e urreja atë që ai bëri me mua. Ndjehesha pa vlerë dhe nuk mund ta shikoja dot veten në pasqyrë”.
Ajo punonte në industrinë e hotelerisë dhe kishte shkuar me miqtë pas mesnatës në një klub nate, ku ndodhi edhe ngjarja. 23-vjeçarja e përshkruan veten si një person miqësor dhe që i flet gjithkujt.
“Ai ishte tek zona e duhanpirësve. Duke qenë miqësore unë i thashë përshëndetje, por kuptova që ai nuk fliste anglisht dhe u largova. Ai më ndoqi nga mbrapa dhe më sulmoi seksualisht”.
Vendimi për Balën pritet të jepet nga gjykata javën e ardhshme.