Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me anë të një deklarate për mediat nuk i ka kursyer sulmet dhe ofendimet ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke quajtur “halabake që falsifikon të drejtën e Presidentit.”
Vlen të kujtohet se një ditë më parë, Presidenti Ilir Meta bëri me dije se do të ngrejë një padi ndaj ministres Gjonaj, ndërsa i kërkoi asaj që të japë dorëheqjen pasi e ka humbur besimin e presidentit. Por sot akuzat ndaj ministres Gjonaj janë shtuar edhe nga kryetarja e LSI, e cila me një gjuhë të ashpër ndaj saj duke thënë se ka shkelur procedurat për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Në një takim me strukturat në Shkodër, Kryemadhi tha se ‘ministrja bukuroshe’ ende nuk ka kthyer asnjë përgjigje në lidhje me falsifikimet e protokollit.
“Sot e kësaj dite akoma nuk kemi një përgjigje nga ministrja jonë bukuroshe që sa për dijeni të shqiptarëve ka lidhje familjare me presidentin e Republikës. Akoma s’ka kthyer përgjigje se pse ka falsifikuar protokollin e ministrisë. Për mua moralisht Arta Vorpsi është një ngelëse ku çdo gjimnazisti s’i jepet diploma se ka ngelur në provim. Ndërton jetën dhe të ardhmen e saj mbi fatin e fëmijëve të shqiptarëve. Siç ka vjedhur protokollin, ashtu ka vjedhur edhe pronat e shqiptarëve.
Siç merr guximin një halabake rrugësh për të falsifikuar protokollin e shtetit, që është i shenjtë, kjo dhe bandat e saj, mos u çudisni, ju kanë vjedhur pronat e shqiptarëve, paratë e të persekutuarve politikë, ky person nuk e ka problem, siç falsifikoi procesverbalin e Lazer Saitit, po kështu kjo falsifikon provat e vrasësve dhe kriminalëve, iu heq shenjat e gishtërinjve të atyre dhe vendos shenjat e gishtërinjve të qytetarëve të thjeshtë. Kjo halabake e shtetit shqiptar, më falni për gjuhën, por kur arrin guximi të falsifikojë të drejtën e Presidentit, mendoni çfarë mund të bëjë ajo ndaj qytetarëve, me fatin dhe jetën e tyre”, tha Kryemadhi.