Kryesore Task Forca për koronavirusin, Tomini: 29 teste në total, rezultuan negative

Task Forca për koronavirusin, Tomini: 29 teste në total, rezultuan negative

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike, Eugena Tomini, pjesë e Task Forcës kundër koronavirusit bëri me dije mëngjesin e së dielës që në Shqipëri nuk rezulton asnjë person i prekur me Covid-19.

Tomini u shpreh se deri në shtunën në darkë janë bërë 29 testime në total për virusin e ri dhe fatmirësisht të gjitha kanë rezultuar negative. Ajo shtoi se të gjithë personat që shfaqin simptoma të koronavirusit të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare.

“Deri në mbrëmjen e djeshme janë testuar 29 raste dhe të gjitha kanë rezultuar të gjitha negative. Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore, detare dhe tokësore theksojmë se po kryhet monitorimi i temperaturës për të gjithë shtetasit që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në 24 orët e fundit në total janë monitoruar 13672 persona. MSH rekomandon udhëtarët që kanë ardhur nga zonat e prekura nga virusi dhe që kanë patur kontakte me njerëz të infektuar të vetëkarantinohen për 14 ditë. Gjithashtu gjatë 24 orët e fundit në Qendrën e Urgjencës Kombëtare janë pritur 1400 telefonata prej të cilave vetëm 57 me probleme respiratore. Nëse qytetarët kanë shenja të infeksionit viral të telefonojnë në 127”, tha Tomini.